Kryeministri britanik: Pata nevojë për shumë oksigjen, doktorët përgatitën njoftimin e vdekjes time

Kryeministri britanik, Boris Johnson, zbuloi se doktorët po përgatiteshin të njoftonin vdekjen e tij nga koronavirusi, gjatë kohës që ai ishte i shtruar në spital në gjendje aspak të mirë.

Në një intervistë për “Sun on Sunday”, transmeton sinjali, Johnson thotë se kishte nevojë për shumë oksigjen dhe shtoi se eksperienca në spital e bëri që t’i shtohej dëshira për të ndaluar vuajtjen e të tjerëve dhe për të ringritur në këmbë Mbretërinë e Bashkuar pas pandemisë.

“Në spital, isha i lidhur me disa monitorë dhe shikoja që të dhënat aty shkonin gjithmonë në drejtimin e gabuar. Ishte një moment shumë i vështirë, nuk kam pse ta mohoj. Pyesja veten se si do të shpëtoja. Doktorët nisën të bënin strategjinë nëse nuk e fitoja betejën, strategji të tipit “vdekja e Stalinit”, theksoi kryeministri.

Johnson u diagnostikua me koronavirus në 26 mars dhe u shtrua në spital 10 ditë më vonë. Një ditë pas shtrimit, u dërgua në terapi intensive.

“Nuk e besoja dot që në aq pak ditë shëndeti im u përkeqësua aq shumë. Momenti më i keq ishte kur shanset e mia për mbijetesë ishin 50-50. Doktorët po mendonin nëse do më vendosnin tubin”, shtoi Johnson.