Kryeprokurori i Gjilanit konfirmon vetëvrasjen e policit dhe tregon detajet

Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Jetish Maloku ka thënë se oficeri i Policisë së Kosovës, B.I, i cili dyshohet se bëri vetëvrasje sot në Gjilan, po qëndronte me disa shokë të tij në një kafeteri të qytetit para se të ndërronte jetë.
Maloku ka deklaruar se B.I. dyshohet të ketë kryer vetëvrasje në tualetin e një kafiterie në lagjën “Dheu i Bardhë” në Gjilan.
“Ne jemi në hetimet e para. Këto hetime na thonë se ai ka qëndruar në një kafeteri në lagjen “Dheu i Bardhë” në Gjilan dhe aty kanë qenë me të 2-3 shokë dhe i kemi dëshmitarë”, ka thënë Maloku për Insajderin.
Sipas kryeprokurorit Maloku, trupin e pajetë të policit B.I. e gjetën shokët e tij.
“Ai [oficeri i policisë], ndërkohë, ka shkuar në tualet, kur shokët e tij shkojnë e gjejnë shtrirë aty”, ka thënë Maloku.
Kryeprokurori Maloku ka thënë se “tash jemi në hetime dhe të shohim se çfarë në të vërtetë ka ndodhur dhe krejt shenjat janë se ai ka bërë vetëvrasje”.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.