Kryesindikalisti i afërt me VV-në në RTK, Fadil Hoxha “sekser” i suksesshëm për bordin e ri

0
122

Kryetari i njërës prej sindikatave të punërorëve të RTK-së, Fadil Hoxha, që njihet për afërsinë publike me Vetëvendosjen, duket se ka arritur të përdorë lidhjet e tij me deputetët e partisë së kryeministrit Albin Kurti për ta futur në rrethin e ngushtë të kandidatëve për anëtare të bordit të ri të RTK-së kushërirën e tij Teuta Hoxha-Morina.

Fadil Hoxha, i cili para disa muajve e edhe para disa ditëve ishte “zëri i arsyes” për shkarkim të bordit të RTK-së dhe eliminim të disa kandidatëve për bordin e ri, duket se po ia arrin qëllimit që ta shtyjë përpara familjaren e tij për anëtare të bordit.

Burimet e Ballkani.info thonë se vajza e axhës së babës së kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së Fadil Hoxhës është futur në listën e ngushtë për kandidatët e bordit të RTK-së që pritet të votohen nesër në Kuvendin e Kosovës.

Teuta Morina-Hoxha nga Gjilani duket se falë mbështetjes nga sindikalisti i RTK-së mund të votohet për anëtare të re të bordit të RTK-së.

Në këtë formë, Fadil Hoxha po e shtyn agjendën e tij për t’ia hapur vetës rrugën për projektin e synuar shumëvjeçar që të bëhet Drejtor Gjeneral i RTK-së.

Madje burimet thonë se Fadil Hoxha me rrethin e tij tashmë i kanë ndarë pozitat se kush ku do të vendoset pas zgjedhjes së bordit të ri nga shumica parlamentare e Vetëvendosjes.

Mirëpo, kandidimi i Teuta Hoxha-Morinës është konflikt interesi në bazë të Ligjit për parandalim të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, ku neni 1.6 thotë se “Të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallën e 4 përbën shkelje”.

Kujtojmë se Fadil Hoxha në postimet e veta të fundit ishte shumë i zëshem për të eliminuar dy kandidatët e larguar së fundi nga deputetët nga lista e anëtarëve të bordit: Ismet Sijarina dhe Arta Pllana./ Ballkani.info