Kryesindikalisti i Trepçës: E kemi humbur kontaktin me minatorët

Kryetari i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Shyqeri Sadiku ka folur për Gazetën inFokus pas zjarrit që ka marrur Trafostacioni i Trepçës.

Sadiku ka thënë se e kanë humbur kontaktin me minatorët, prej kur rryma është ndalur.

“Kemi qenë në fillim në kontakt me ta, por e kemi humbur kontaktin me ta prej që është ndal rryma. Tash për shkak të rrymës nuk kemi kontakt. Edhe skuadra e shpëtimit është e përgatitur. Nëse është nevoja duhet të lëshohemi. Është një gjatësi bukur e madhe, por nëse paraqitet nevoja edhe skuadra do të jetë atje poshtë”, ka thënë ai.

Për momentin në minierë ai ka konfirmuar se janë rreth 100 minatorë, por të cilët sipas tij nuk janë në rrezik për jetë.

“Për momentin miniera është pa rrymë. 100 minatorë janë në minierë. Në rrezik dicka për jetë nuk janë, ajrimi është në nivel janë mbipusoret që marrin ajrimin natyral jemi në përpjekje që të bëjnë zgjidhje që ta aktivizojmë ashensorin që së paku ti nxjerrim nga miniera”, ka deklaruar ai.

Rasti ka ndodhur rreth orës 12:00 kur ka filluar të digjet trafo brenda objektit të Trepçës.

Të njëjtën kohë është këputur linja 110 kV e KOSTT-it në Mitrovicë.

Kjo ka bërë që Mitrovica të jetë pa energji elektrike, thuhet në një njoftim të KEDS-it.

Lini një Përgjigje