Kryesindikalisti i “Trepçës” merr pagë mujore rreth 2 mijë euro

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, në bazë të dokumenteve që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se ai si drejtues i Shërbimeve Teknike dhe si anëtar i Bordit Mbikëqyrës, të cilin vetë nuk e njeh, merr një pagë mujore prej 1903 eurosh ose rreth 770 euro më shumë sesa e ka pagën mujore kryeministri Ramush Haradinaj, të cilën ai vetë e ka deklaruar në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Shyqyri Sadiku, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës”, lirshëm mund të konsiderohet si një ndër zyrtarët më të paguar në vend. Madje në bazë të dokumenteve që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se ai si drejtues i Shërbimeve Teknike, si anëtar i Bordit Mbikëqyrës, të cilin vetë nuk e njeh, merr një pagë mujore prej 1903 eurosh ose rreth 770 euro më shumë sesa e ka pagën mujore kryeministri Ramush Haradinaj, të cilën ai vetë e ka deklaruar në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në dokumentet e siguruara shihet se Sadiku pagën sipas kontratës e ka 993 euro në muaj. Ai po ashtu përveç kësaj merr shtesën prej 127 eurosh si pagë për punën e kaluar, 23 euro shtesa stimulative, si dhe 163 euro shtesa mujore për Çetën e Shpëtimit. Po ashtu, përveç kësaj page Sadiku si anëtar i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës” merr edhe një pagë mujore prej 600 eurosh, edhe pse realisht vetë sipas deklaratave të dhëna në publik ai nuk e njeh këtë Bord.

I pyetur se nëse nuk e njeh Bordin Mbikëqyrës, atëherë pse merr pagë si anëtar i Bordit, Sadiku tha se nuk është puna nëse ai e njeh Bordin Mbikëqyrës ose nuk e njeh, sepse edhe ai është pjesë e tij, por ka potencuar se janë minatorët dhe përgjithësisht sindikalistët, të cilët nuk e dëshirojnë një Bord që nuk punon asgjë.