Kryesuesi i Bordit të Trepçës i quan politike deklaratat e BE-së: Trepça është e Kosovës

0
122

Deklarimet e Bashkimit Evropian se “Trepça” të bëhet pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mori reagime të ashpra nga institucionet në vend.

Por, këto zëra të zyrtarëve të BE-së, kryesuesi i Bordit të ndërmarrjes Trepça, Ardian Syla, po i sheh që janë çështje politike.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Syla tha se Trepça është e Kosovës dhe do të mbetet e tillë. Sipas Sylës, kjo është e përcaktuar edhe me Kushtetutën e Kosovës, ligjet dhe statutin e saj.

“Kjo besoj më shumë është çështje politike, mirëpo krejt çka mund të them që edhe me kushtetutën e Kosovës edhe me ligjin për Trepçën, mirëpo edhe me statutin për Trepçën i cili është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Trepça është e Kosovës, është pasuri e Kosovës dhe do të mbetet si e tillë. Prandaj për atë po them që deklarimet edhe të Bashkimit Evropian mirëpo edhe palës serbe më shumë janë çështje politike. Prapë po them është nivel pak më i lartë se çka përfaqësojmë ne dhe është i nivelit politik ne e dimë që problemi i Trepçës ka qenë problem politik që nga paslufta deri më tani por që prapë po them edhe me kushtetutë edhe me Ligj të Trepçës por edhe me statut të Trepçës, Trepça është pronë e Republikës së Kosovës dhe sigurisht që do të mbetet si e tillë”, tha Syla.

Me ndërrimin e statutit të Trepçës, kryesuesi i bordit, pret që integrohet edhe pjesa veriore, ani pse sipas tij, miniera në flotacionin Kopanik në Leposaviq, ka bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, por jo edhe me anëtarët e bordit.

Syla shtoi se kjo do të arrihet falë mbështetjes së institucioneve të vendit.

“Me ndërrimin e statutit të ndërmarrjes në shoqëri aksionare ne presim edhe një integrim më të thellë dhe një bashkëpunim më të thellë në njësinë në fjalë normalisht edhe me ndihmën e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Ne si bord kemi filluar për të bërë përpjekje të lidhur me integrimin dhe bashkëpunimin me minierën në flotacion Kopanik – Leposaviq. Bashkëpunimi shkon përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik pasi që ne jemi përfaqësues e aksionarit në këtë rast Qeverisë së Kosovës ata i drejtohen Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik i delegon detyrat dhe obligimet që dalin dhe që kemi për t’i bërë në njësinë në fjalë tek anëtarët e bordit mbikëqyrës”, u shpreh Syla për Ekonomia Online.

Miratimi i statutit të Trepçës sipas Sylës, do i hap rrugë regjistrimit të kësaj ndërmarrje nga shoqërorë në shoqëri aksionare.

Syla thotë se aktualisht bordi dhe Qeveria e Kosovës është në procedura teknike lidhur me regjistrimin.

“Ky ka qenë statuti të cilin e ka propozuar bordi mbikëqyrës dhe e ka dërguar në Ministrisë e Zhvillimit Ekonomik për të proceduar në procedurat e mëtutjeshme ashtu siç parashihen me ligjin për Trepçën. Tani miratimi ka qenë hapi i fundit që është bërë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mënyrë që me i hapë rrugë regjistrimi të ndërmarrjes Trepçës, shoqëri aksionare në agjencionin për regjistrim të bizneseve në Kosovë. Tani jemi në procedura teknike lidhur me regjistrimin e ndërrmarjes dhe përfundimisht Trepça transformohet prej ndërmarrjes shoqërore në ndërmarrje shoqëri aksionare siç e parasheh Ligji për Trepcën”

Syla pohon se aktualisht nuk ka prodhim të qëndrueshme në Trepçë, por kjo sipas tij, do të arrihet me statutin e Trepçës.

Sipas t’ij, kjo i jep kahje tjetër ndërmarrjes dhe mundëson të krijohet infrastruktura ligjore, mundësi për investime direkte te huaja dhe të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Tani Trepça është shoqëri aksionare në pronësi të Republikës së Kosovës prej 80 për qind si dhe 20 për qind që janë aksionarë punëtorët e Trepcës. Me ndryshimin e statutit të ndërmarrjes në shoqëri aksionare pra përfundimisht i epet një kahje tjetër ndërmarrjes si dhe hapen rrugë tjera për krijimin e infrastrukturës ligjore si dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik si dhe forma të investimeve që i parasheh ligji për Trepçën e siç janë partneriteti publiko privat investime direkte të huaja, emetimi dhe shitja e aksioneve dhe gjitha formave tjera. Dhe kjo është një mundësi e mirë sepse ne e dimë që duhen investime në disa aspekte në Trepçë në mënyrë që me pas një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik si dhe rritje të prodhimit për të cilën tani është realisht kemi një prodhim jo edhe aq të mirë”, pohoi Syla për EO.

Ditë më parë Kuvendi i Kosovës, miratoi Statutin e Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A.​ Të mërkurën ky statut është nënshkruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ligjvënësit në legjislaturën e kaluar, në tetorin e vitit 2016, kishin miratuar Ligjin për Trepçën, me të cilin, gjiganti ekonomik kishte pritje që të rimëkëmbet dhe  të rikthehet në treg.