Kryetari i Odës Ekonomike: Mungesa e rrymës tregon mjerimin në Kosovë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka kritikuar ashpër KEDS-in për mënyrën si e ka menaxhuar mungesën e energjisë elektrike, që dëmton drejtpërdrejt bizneset vendore.

Ai ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që të jetë e vëmendshme kur ka zhvillime të tilla.

“Në rend të parë kjo është dukuri që tregon mjerimin në Kosovë, ku dominon agjenda politike. Është obligim ligjor që nëse KEDS ka mungesë të energjisë elektrike, të blejë dhe të furnizojë vazhdueshëm me rrymë. Ky është një mesazh shumë negativ. Kosova e ka imazhin e dëmtuar dhe kur ai begatohet me një mungesë të këtillë rryme, atëherë kemi mjerim. Reduktimet tërë ditën mund të ndodhin vetëm tek ne. Dua të besoj që tani është koha kur për shtet të bëhet, jo vetëm të flitet”, ka thënë ai.