Kujdes në rrugë, Policia e Kosovës po lëvizë me vetura të pasiguruara

Policia e Kosovës shqipton qindra gjoba në ditë për shkelësit e rregullave të trafikut.

Në mesin gjobave ka edhe plot sosh që veturave u ka skaduar regjistrimi.
Ato gjobat janë ndër më të lartat.

Por, lajmi.net ka mësuar se shumë prej veturave të Policisë së Kosovës u ka skaduar afati i sigurimit. Madje, disa nga to policia po i përdorë për punë zyrtare.

E gjithë kjo ka ndodhur ngase Zyra e prokurimit të Policisë së Kosovës ka bërë shkelje ligjore në realizmin e tenderëve për sigurimin e automjeteve.

Lajmi.net ka kërkuar edhe një përgjigje nga Policia e Kosovës lidhur më atë se cila është arsyeja që veturat nuk janë siguruar me kohë dhe se kur do të sigurohen. Zyra për informim ka dhënë këtë përgjigje.

“Në kuadër të Policisë së Kosovës janë një numër i madh i automjeteve zyrtare të llojeve të ndryshme që shërbejnë për polici, të cilat janë si mjet i punës për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive policore. Një numër i caktuar prej këtyre veturave, që janë në kuadër të Policisë së Kosovës ku bëjnë pjesë Departamente, Divizione, Rajone dhe njësite policore, u ka skaduar regjistrimi dhe për momentin janë jashtë përdorimit policor, përderisa të regjistrohen/sigurohen. Veturat që nuk kanë pasur regjistrim kanë qenë jashtë përdorimit përderisa të përfundojnë komplet procedurat e regjistrimit të tyre. Sipas te dhënave nga shërbimet tona mbështetëse jemi në proces të regjistrimit të veturave të paregjistruara, përderisa Policia e Kosovës ka numër të mjaftueshëm te automjeteve për realizimin e objektivave kryesore të saj”.

Megjithëkëtë, burimet e lajmi.net thonë se veturat e policisë që po dalin edhe në rrugë, janë pa sigurim, dhe akoma nuk ka një kontratë të re, ndërsa të vjetrës i ka skaduar validiteti.

Lajmi.net ka shikuar edhe në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik –KRPP për të parë se kur është nënshkruar kontrata e fundit për sigurimin e veturave. Sipas ueb-faqes së KRPP-së, kontrata në mes te Policisë së Kosovës dhe kompanisë “Sigma Interalbania Vienna Insurance Group” SHA-Dega në Kosovë është nënshkruar më 05.03.2018, dhe tenderi ka qenë për 12 muaj.

Ndërkohë, më 3.01 2019, prokurimi i policisë ka bërë njoftim për kontratë kornizë për 36 muaj “Sigurimi i automjeteve të ndryshme të PK-së, sigurimi TPL, TPL Plus dhe sigurimi kasko”.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 1.115.721,86 euro. Më 28.02.2019, autoriteti kontraktues ka bërë njoftim për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

“Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit”, thuhet në arsyetimin e anulimit.

Më 23.03.2019, zyra e prokurimit të Policisë së Kosovës ka bërë njoftim të ri për këtë aktivitet të prokurimit, dhe tash kohëzgjatja e kontratës është shënuar të jetë për 12 muaj, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 322.028,56 euro.

Më 07.06.2019, e ka shpallur fitues kompaninë “Sigma Interalbania Vienna Insurance Group” SHA-Dega në Kosovë. Më pas kompania “Sigal Uniqa Group Austria” SH.A –Prishtinë, është ankuar tek autoriteti kontraktues, i cili ka marrë vendim që ta hedhë poshtë ankesën. Pastaj kompania është ankuar tek Organi Shqyrtues i Prokurimit duke pretenduar se është shkelur ligji disa herë kur është zgjedhur fituesi i këtij tenderi. Paneli Shqyrtues gjeti se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 dhe 72 të Ligjit të Prokurimit dhe njëkohësisht nuk është respektuar neni 60 i LPP-së, kriteri kryesor për dhënie të kontratës që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët. Andaj, Paneli vendosi që kjo lëndë të kthehet në rivlerësim. Ky vendime është marrë nga OSHP-ja më datë 04.07.2019.

Policia ka vendosur ta respektojë këtë vendim dhe mësohet se është duke i rivlerësuar ofertat. Duhet thënë se në ueb-faqen e KRPP-së nuk ka pasur ‘njoftim për dhënie të kontratës’.

Megjithëkëtë, me tu ankuar në OSHP kompania “Sigal Uniqa Group Austria”, Policia e Kosovës e ka hapur një tender të ri, që të sigurojë 270 veturat.

Tenderi ishte hapur më 06.06.2019. Vlera e parashikuar e kontratës: 66.906,00 euro.

Zyra e prokurimit të Policisë ka e ka shkurtuar afatin për dorëzimin e tenderëve. Si arsyetim prokurimi ka shkruar se “tenderin që është shpallë dhe është në fazën e vlerësimit të ofertave është lëshuar një gabim teknike në një pozicion që ka të bëjë me sasi, ku për këtë lëshime teknike është e njoftuar KRPP me shkrime dhe takimin që kemi pasur si dhe autoriteti kontraktues nuk ka kontratë aktive në lidhje me shërbimet e sigurimit të automjeteve si dhe çdo ditë numri i automjeteve është duke ju skaduar sigurimi. Kjo ka të bëjë edhe më kërkesë të Njësisë kërkuese që të shkohet me afate kohore të shkurtuara të publikimit rekomandoj të veprohet konform Ligjit në fuqi dhe nevojës se paraqitur”, thuhet në njoftimin për kontratë.

Pasta më datë 24.06. 2019, prokurimi i Policisë e ka shpallur fitues të tenderit kompaninë “Sigma Interalbania Vienna Insurance Group” SHA-Dega në Kosovë, me ofertë totale 66 mijë e 906 euro.

As në këtë rast zyra e prokurimit nuk ka bërë ‘njoftim për dhënie të kontratës’ në ueb-faqen e KRPP-së.

Por, kundër njoftimit të Ësë është ankuar prapë kompania “Sigal Uniqa Group Austria”, sikurse edhe në tenderin tjetër.

Autoriteti Kontraktues – Policia e Kosovës e ka hedhur poshtë ankesën më datë 1 korrik 2019. Tash kompania është ankuar në OSHP. Derisa të përfundojë ky proces i ankesave në OSHP, automjete e policës do të jenë të pa siguruar. /Lajmi.net/

Lini një Përgjigje