Kujt po i duhet tani ndihma e PDK’së dhe pse?

Ajo çfarë po kërkohet aktualisht, pra që PDK-ja të jetë tani pjesë e një Qeverie të riformatuar, do të thotë të vazhdohet sot me një Qeveri të re, e treta me radhë, bazuar te një vullnet i vetëm zgjedhor i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit vitin e kaluar.

Shkruan: Faton Abdullahu

Që të vazhdoj koalicioni aktual qeverisës me punën e filluar, me menaxhimin më të mirë të pandemisë dhe sidomos me dialogun me Serinë a duhet t’i bashkangjitet asaj PDK-ja ? A duhet ta bëjë këtë PDK-ja apo përndryshe, Qeveria Hoti për shumë arsye e ka pothuajse të pamundur të vazhdoj tutje. Nuk janë të pakët ata të cilët jo vetëm mendojnë se duhet të jetë kështu, por konsiderojnë se kjo është punë e kryer. Pjesëtarët e koalicionit ekzistues, të vetëdijshëm për brishtësinë e Qeverisë Kurti, janë si duket më të zëshmit për këtë formë të zgjidhjes, pra që PDK t’i bashkangjitet Qeverisë Hoti me një rikonfigurim të ri, përkatësisht një marrëveshje të re. Por a është në të vërtetë kështu apo të pyes ndryshe, a duhet dhe a mund të jetë kjo zgjidhja më e mirë për Kosovën sot dhe a është ky veprimi i domosdoshëm për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve të cilat si duket nuk po shkojnë në drejtimin e duhur?

Në rend të parë vetë shtrimi i problemit kështu, pra, nëse i bashkangjitet PDK-ja kësaj Qeverie do të bëhet mirë dhe nëse jo do të bëhet keq për Kosovën, është qasje disi akuzuese, jo pak djallëzore ndaj PDK-së e cila krejt krejt por nuk mund të fajësohet drejtpërsëdrejti për çfarëdo ngecje e dështime që po ndodhinë që nga zgjedhjet e fundit.

Të kuptohemi ajo çfarë po kërkohet aktualisht, pra që PDK-ja të jetë tani pjesë e një Qeverie të riformatuar, do të thotë të vazhdohet sot me një Qeveri të re, e treta me radhë, bazuar te një vullnet i vetëm zgjedhor i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit vitin e kaluar. Kjo do të thotë që nga një vullnet politik i qytetarëve para 9 muajve, LDK të jetë tre herë e përshtatshme për të qenë në Qeveri. Një herë me VV kundër të tjerëve sidomos PDK-së. Mandej me gjithë të tjerët kundër VV-së dhe tani me të gjithë që pranojnë t’i bashkangjiten asaj në qeverie të re. Çfarë marrëzie politike, plotësisht jo fer dhe e pandershme bile hiç e dobishme.

Për më shumë kjo e meriton edhe një shpjegim tjetër shtesë. LDK dhe jo vetëm ajo, por bashkë edhe me subjekte tjera (sidomos bashkë me VV), pandalshëm ka ndërtuar strategji kundër PDK-së duke e fajësuar atë për çdo dështim, nepotizëm, korrupsion e krim, apo çfarëdo ngecje në Kosovë dy dekadat e fundit. LDK shquhej jo pak me sulmet e saja kundër PDK-së, sepse kështu si duket ndërtonte procesin e shpëlarjes moral-politike për veten e saj. Në anën tjetër sa më shumë i shkonte për dore ta fajësoj PDK-n, aq më shumë LDK koordinohej dhe vihej në binarë të njëjtë me VV. LDK, sot partia më e rëndësishme në Qeveri, kishte vazhdimisht vija të kuqe me PDK-në. Këtë qasje e ka shquar gati me agresivitet gjatë gjithë fushatës në zgjedhjet e fundit edhe përkundër faktit se PDK thoshte se vija të kuqe ka vetëm me Serbinë.

Pas gjithë kësaj, si ka mundësi që sot partnerët e koalicionit qeverisës ti vardisen politikisht PDK-së me oferta joshëse që ajo tu bashkangjitet kësaj Qeverie? Ku mbetën vijat e kuqe që shquheshin aq shumë ? Çfarë ka ndodhur? A na u paska bërë e keqe LDK sot si PDK-ja dje, apo ka ndryshuar PDK-ja dhe është bërë e mirë, apo kemi të bëjmë me interes mbi interesa mbetjen në pushtet?

Të gjithë ata që po e thërrasin sot PDK-n të hyjë në Qeveri për ta vazhduar apo thënë ndryshe për të ja zgjatur jetën kësaj Qeverie (sado që arsyetimi është se kjo duhet të bëhet për interesa të larta të Kosovës), po harrojnë se po e ftojnë PDK-n në diçka prej të cilës ajo ka hequr dorë si shenjë e respektimit të vullnetit të votuesve. PDK është në opozitë sepse kështu deshën votuesit. PDK në opozitë është detyrim që ajo ka marrë, jo kamuflim që po e sajon. Për më shumë si duket PDK në opozitë është premisë për ndryshime brenda saj para zgjedhjeve, jo ndryshime për të kërcyer në qeveri pa zgjedhje. Ajo është në procese të rikonsolidimit edhe ideor edhe kadrovik, si premisë për të dal fituese në zgjedhjet e ardhshme gjë që është proces normal për çdo parti opozitare. Përgjigja pozitive ftesës që PDK të hyjë në Qeveri do të thotë që krejt këto procese të kësaj partë të ndalen për gjysmë. Fundja me asgjë që po bënë Qeveria Hoti nuk ka lënë përshtypje se të gjitha proceset i ka zhvendosur në vendin e vetë dhe duhet vetëm edhe ndihma e PDK-së që ato të shtyhen përpara dhe të përfundojnë për të mirë. Më së shumti mund të thuhet kështu mbi çështjen e dialogut e cila tani, në vend se të rivendoset në agjendën e SHBA-s ku ishte, ka mbetur vetëm në agjendën e Brukselit me kurrfarë gjasa që të ketë përfitime në raport me Serbinë e lëre më që të ketë njohje reciproke.

(Autori është analist i njohur politik dhe kjo kolumnë është shkruar për Gazetën Metro)

Lini një Përgjigje