Kuleta: A është vetëm lajmi i keq lajm?

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes për Bashkim dhe kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Agim Kuleta ka reaguar lidhur me një fenomen negativ që po ndodhë në shumë media, të cilat po japin më shumë lajme të këqija sesa të mira.

Ai përmes një postimi në “Facebook” i ka renditur 8 lajme mbi dukuritë negative, të cilat janë dhënë vetëm përmes një portali në mëngjesin e sotëm, duke thënë që nuk dyshon se kanë ndodhur edhe shumë dukuri pozitive, e që do të mund të publikoheshin këtë mëngjes.

Postimi i plotë i tij:

A ËSHTË VETËM LAJMI I KEQ LAJM?

1. I keqësohet gjendja duke pritur autobusin, vdes në spital; 2. Prizren, vodhën para në qendër tregtare, tre persona në arrati; 3. Rast i pazakontë në Lipjan; Një person në mënyrë; spektakolare fut drogë në burg; 4. Alarmante, 40 aksidente vetëm për një ditë;5. Prizren, godet këmbësoren dhe largohet, policia kap të dyshuarin; 6. Burri nga Vitia rreh bashkëshorten, arrestohet; 7. Shoferi i autobusit ngacmon seksualisht të miturën;8. Podujevë: Rreh babanë, arrestohet.
Këta janë disa nga titujt brenda vetëm një portali, brenda vetëm këtij mëngjesi. Nuk dyshoj që kanë ndodhur këto dukuri negative ashtu siç nuk dyshoj që kanë ndodhur edhe shumë dukuri pozitive në shoqërinë tonë, e që do të mund të publikoheshin këtë mëngjes. Në biseda për një fenomen të tillë, kam dëgjuar gazetarë duke thënë se lajmi i keq është lajm (atraktiv). Unë mendoj që edhe lajmi i mirë është lajm nëse je kreativ. Prandaj, në gazetarinë tonë (me përjashtime të vogla) mungesa e kreativitetit mbulohet me publikimin vetëm të skandaleve.
Mediat cilësohen edhe si pushteti i katërt. Prandaj, krahas me peshën në një shoqëri shkon edhe përgjegjësia, ose më mirë të themi, do të duhej të shkonte.