Kur u bënë kaq “të njëjta” LVV e LDK?

0
1554

Që nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, gjatë parafushatës, gjatë fushatës e sidomos pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, LDK e veçanërisht LVV kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për ta bindur opinionin se LVV e LDK janë pothuajse të njëjta.

Këtë më së miri e ilustron deklarata e nënkryetarit të LVV-së, Glauk Konjufca kur thotë: “Nuk besoni se sa të njëjta janë LVV e LDK”!

Por, natyrisht, opinioni e di fare mirë se:

1. LDK ka qenë dhe mbetet fort e lidhur për Pakon e Ahtisarit, ndërsa LVV (së paku deklarativisht) është kundër saj;

2. LDK ka qenë dhe vazhdon të mbetet për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa LVV (së paku deklarativisht) është kundër tij;

3. LDK ka qenë e mbetet për simbolet dhe himnin e Kosovës, ndërsa LVV (së paku deklarativisht) është kundër tyre;

4. LDK ka qenë dhe mbetet për asociacionin e komunave serbe (zajednica), ndërsa LVV (së paku deklarativisht) është kundër tij/saj;

5. LDK ka qenë dhe mbetet për demarkacionin me Malin e Zi, ndërsa LVV (së paku deklarativisht) është kundër tij;

6. LDK ka qenë dhe mbetet për privatizimin e pronës publike, ndërsa LVV (së paku deklarativsht) është kundër tij;

7. LDK ka qenë dhe mbetet për Gjykatën Speciale, ndërsa LVV (së paku deklarativisht) është kundër saj;

8. LDK ka qenë pjesë e pushteteve korruptive dhe kapjes së shtetit (së paku në ligën e dytë të hajnave, siç thotë LVV), ndërsa LVV (së paku në nivelin qendror) nuk ka qenë kurrë;

9. LDK ka qenë dhe mbetet kundër bashkimit me Shqipërinë, ndërsa LVV (së paku deklarativisht) ka qenë “për”. Dhe, në fund të fundit:

10. LDK (së paku deklarativisht) është parti e djathtë, ndërsa LVV (së paku deklarativisht) është parti e majtë.

Të mos harrojmë se LVV-ja armë të fuqishme propaganduese e ka pasur moton se ajo është e ndryshme në çdo drejtim nga të gjitha partitë tjera politike. Kur u bë LDK-ja e njëjtë me LVV-në?! Apo, kur LVV-ja u bë e njëjtë me LDK-në?!

Se për çfarë arsyesh, brenda natës, u sheshuan këto kundërthënie i mbetet lexuesit ta vlerësojë! Pastaj, a po heq dorë LDK a LVV nga qëndrimet e veta – kjo mbetet të shihet.

Por një gjë është e sigurtë, se të dyja partitë të verbuara nga dëshira për pushtet po duan që t’i fshehin sa më shumë që është e mundur këto mospajtime dhe të hyjnë sa më parë në pushtet.

Sa do të jetë efektive dhe e qëndrueshme qeverisja me gjithë këto divergjenca – do të na tregojë koha./Fokusi.info/