Kurti: Dera e parë pas zgjedhjeve për koalicion do të jetë LDK-ja, por me fusnotë

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se pas 6 tetorit, kur, sipas tij, VV-ja t’i fitojë zgjedhjet, dera e parë që do të trokasë për koalicion do të jetë ajo e LDK-së.

“Dera e parë që do të trokasë do të jetë ajo e LDK-së. Do të flas me kryetarin e subjektit. Por, mund të ketë deputetë të LDK-së që s’do t’më votojnë mua kryeministër, dhe uroj që ata të mos fitojnë”, tha Kurti në Interaktiv të KTV-së.

“VV-ja është shansi i fundit për Kosovën. Nuk duron më Kosova koalicione të së kaluarës. Ne do ta shohim me kujdes numrin e saktë të deputetëve të grupeve parlamentare, por edhe emrat e tyre. kur të del VV-ja e para, ndryshon gjithçka në Kosovë. Unë jam i interesuar që edhe pakicat jo-serbe, por edhe serbët jashtë Listës Serbe, të vijnë në Qeveri. Nën 1, PDK dhe Lista Serbe, të cilat asnjëra nuk janë parti, por janë shtete: njëra shteti i Kosovës, tjera i Serbisë. Ata duhet të mbesin në opozitë. Por, do t’i ftojmë serbët që njohin institucionet e Kosovës, si Rashiqin. Askund në Kushtetutë nuk thotë që doemos deputeti të bëhet ministër. Mund të bëjmë edhe dikë tjetër nga jashtë. PDK-ja e ka kap shtetin, e ka humb veten – duhet të dalë në opozitë. Duhet të bëhet parti, sikurse edhe Lista Serbe. Unë s’jam kundër Listës Serbe vetëm pse e kanë emrin e tillë, por jam kundër tyre sepse ata shkruajnë dokumente sikurse në vitet e 90-ta, si në kohën e Millosheviqit. Ky vend është Republikë dhe shtet i pavarur”, ka theksuar kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti.

“Zgjedhja jonë e parë është LDK-ja, por me fusnotë”, potencoi ai.

Kurti foli edhe për rrjedhën e mos-arritjes së koalicionit parazgjedhor me LDK-në, duke thënë se oferta e VV-së u refuzua nga Agim Veliu, e jo nga Vjosa Osmani apo nga Isa Mustafa.

“Aty ndodhi një zhgënjim i madh i imi. Unë s’i bëra ofertë Veliut, por ai doli e refuzoi ofertën tonë para Osmanit e Mustafës, dhe para se të mbahej mbledhja”, u shpreh ai.

Lini një Përgjigje