Kurti i shkruan letër Zelenskyt: Qëllimi juaj është qëllimi ynë, beteja juaj është beteja jonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një letër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, me rastin e shënimit të njëvjetorit të rezistencës së Ukrainës nga invazioni dhe agresioni rus.

Përmes kësaj letre Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Kurti ka shkruar se edhe pse jemi dy popuj gjeografikisht larg, historitë tona janë të ngjashme.

Ai tutje ka thënë se jemi dy popuj që kemi humbur shumë nga qytetarët për shkak të planeve imperialiste dhe tokëgrabitëse të shteteve fqinje.

Ne jemi dy popuj që kanë humbur shumë nga qytetarët tanë më të mirë për shkak të planeve imperialiste dhe tokëgrabitëse të shteteve fqinje. Edhe pse jemi gjeografikisht të largët, me popuj me madhësi shumë të ndryshme, historitë tona përkatëse të shekullit të shkuar dhe të sotmit, kanë një ngjashmëri të dukshme. Në këtë ngjashmëri historike rrugët tona kryqëzohen.” – ka shkruar Kurtii.

Kurti ka shkruar për rezistencën e vendit tonë para 23 viteve dhe se si 19 shtete demokratike u bënë bashkë për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër popullit tonë.

Ai ndër të tjera i ka thënë Zelenskyt se si shtet e NATO-s na kanë ndihmuar në atë kohë neve, edhe Ukraina është duke marrë këtë mbështetje.

Para 23 vitesh ne bëmë rezistencën tonë dhe NATO na ndihmoi për të mbyllur ciklin gjenocidal të Serbisë. 19 shtete demokratike u bënë bashkë për të ndalur gjenocidin e Serbisë kundër popullit tonë. Tani ju jeni në frontin e një lufte të re që duhet t’i japë fund gjenocidit të Rusisë kundër popullit tuaj, si dhe t’u japë fund përpjekjeve të saj imperialiste për të marrë territorin tuaj. Dhe përsëri demokracitë, shtete anëtare të NATOs, po ju mbështetin ju, ashtu siç na mbështetën ne.” – ka shkruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka shkruar se Serbia ende mban një dëshirë të mbuluar hollë për të minuar sovranitetin e Kosovës dhe për të marrë shtëpitë tona.

I pari i qeverisë ka shkruar se “qëllimi juaj është qëllimi ynë, beteja juaj është beteja jonë”.

“Këto vlera janë po ashtu në rrezik në rajonin tonë: Aleati kryesor i Rusisë në Ballkan, fqinja jonë veri-verilindore Serbia, mban ende një dëshirë të mbuluar hollë për të minuar sovranitetin tonë dhe për të marrë shtëpitë tona. Prandaj, në një kuptim shumë real, qëllimi juaj është qëllimi ynë; beteja juaj është beteja jonë.” – ishin fjalët e kryeministrit.