Kurti kujton masakrën e Qyshkut: Krimet e Serbisë të kryera në Kosovë nuk falen dhe nuk harrohen

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar se para 24 viteve, forcat e armatosura të Serbisë vranë mbi 120 shqiptarë civilë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan.

Ai ka thënë se krimet e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë nuk mund të falen e as harrohen, njofton Klan Kosova.

“Para se të na gjuante, ai bërtiti: ‘Në emër të Serbisë’Menjëherë ushtarët e tjerë hapën zjarr në të gjithë dhomën. Pas kësaj, ata ia vunë flakën shtëpisë dhe u përgatitën të dilnin nga dhoma. U tërhoqa nga trupat e vdekur dhe kuptova se askush nga grupi im nuk ishte gjallë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook, duke e kujtuar dëshminë e Isa Gashit, i mbijetuar i masakrës së Qyshkut, dhënë për HLC.

“Në mëngjesin e hershëm të 14 majit 1999, në mes të fushatës ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, forcat e armatosura të Serbisë, hynë në fshatin Qyshk. Ishin rreth 100 pjesëtarë të armatosur, me fytyra të mbuluara me ngjyrë të zezë ose maskë, dhe disa prej tyre kishin në kokë shalla të zinj dhe kapele të gjelbra të stilit kauboj. Mes tyre ishte edhe grupi i quajtur “Çakallët”. Ata dëbuan me dhunë banorët nga shtëpitë. I mblodhën në qendër të fshatit, u grabitën paratë dhe stolitë e arit. Ua grisën dhe dogjën dokumentet e identifikimit personal. Pastaj i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët. Burrat i dërguan në tri shtëpi, ku i pushkatuan dhe pastaj i dogjën”.

Para 24 viteve, forcat e armatosura të Serbisë vranë mbi 120 shqiptarë civil në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan.

Kurti ka treguar se për disa prej këtyre vrasjeve u iniciua gjykimi në Beograd.

“Në vitin 2010 ishte ngritur aktakuzë për 11 persona. Pasi u dëgjuan 116 dëshmitarë, në shkurt të vitit 2014 me aktgjykim të shkallës së parë, 9 persona u dënuan. Në shkurt të vitit 2015, Gjykata e Apelit në Beograd anuloi aktgjykimin dhe ktheu lëndën në rigjykim. Në tetor të 2022 dështoi vazhdimi i rigjykimit ndaj njësisë paraushtarake serbe ‘Çakallët’ në Beograd. Nuk ka asnjë të dënuar me aktgjykim përfundimtar”.Tutje, Kurti shton se udhëheqësi i Çakallëve, Nebojsha Miniq, i njohur si “Komandanti i vdekjes”, u arrestua në Argjentinë në vitin 2005. Po atë vit, ai vdiq nga SIDA, gjatë procesit të ekstradimit.

“Hetimet kishin filluar edhe ndaj gjeneralit Dragan Zhivanoviq, komandant i Brigadës 125 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, që kishte autoritet mbi Njësinë e 177 dhe Skuadrës së saj të ndërhyrjes. Më 24 prill 1999 Zhivanoviq kishte urdhëruar njësitë e brigadës së tij të vendosnin kontroll ushtarak mbi fshatrat Qyshk dhe Zahaq. Në 2014 Prokuroria serbe kishte argumentuar që Zhivanoviq ishte në dijeni të vrasjeve të civilëve nga këto njësi. Në vitin 2017, prokuroria i pushoi hetimet. Dëshmitarët e mbijetuar të masakrës së Qyshkut, në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë apeluan vendimin duke kërkuar të mos mbyllen hetimet. Në tetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e refuzoi apelin”.

Sipas Kurtit, sistemi ynë i drejtësisë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe gjykim e dënim të kriminelëve të luftës dhe urdhërdhënësve të tyre.

“Krimet e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë nuk mund të falen e as harrohen. Proceset e rralla e të pakta gjyqësore në Serbi ishin tallje me viktimat dhe shpëlarje kriminelësh”.