Kurti: Presidentin Thaçi nuk e përjashtoj për dialogun Kosovë-Serbi, është i rëndësishëm si funksion politik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk e përjashton që Presidenti Hashim Thaçi të marrë pjesë në ekipin për dialogun Kosovë- Serbi, por nuk beson se mund të jenë në një tavolinë.

Kurti ka thënë se nuk mund të jenë bashkë një ekip sepse nuk është në natyrën e negociatave të bisedimeve ndërkombëtare një situatë e tillë.

“Nuk besoj që mund të kemi një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti, sepse nuk është në natyrën e negociatave të bisedimeve ndërkombëtare një situatë e tillë”, ka thënë Kurti për Rel.

Tutje, Kryeministri tha se Thaçi është i rëndësishëm si funksion për politikën tonë të jashtme, mirëpo politikën e jashtme e krijon Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Unë nuk dua ta përjashtoj presidentin e Kosovës. Unë besoj që ai është i rëndësishëm si funksion për politikën tonë të jashtme, mirëpo politikën e jashtme e krijon Qeveria e Republikës së Kosovës. Pra, pa përjashtuar mirëpo jo edhe duke udhëhequr siç ka qenë rasti në të kaluarën”, ka përfunduar ai.