Kurti pret komandantin e KFOR-it: Objektet e komunës janë pronë e Republikës

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në zyrën e tij komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, për të diskutuar rreth situatës dhe tensioneve të krijuara në veri të vendit.

Kurti ka thënë se “Liria e lëvizjes, sundimi i ligjit, siguria dhe mbrojtja, për të gjithë qytetarët, pa dallim bindjeve politike a prejardhjes, përkatësisë etni​ke apo fetare, në Republikën e Kosovës është prioritet dhe interes i të gjithëve. Institucionet e sigurisë duhet të bashkëpunojnë që të garantojnë një ambient të sigurt e të qetë për të gjithë.

Siç ka njoftuar Zyra për Media e Kryeministrisë, Kurit në këtë takim ka theksuar se “kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa”

“Gjithashtu, kryeministri Kurti e njoftoi komandantin Ristuccia se Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim. Kryeministri theksoi se objektet e komunës janë pronë e Republikës”, përfundon komunikata e ZKM-së.