Kusari-Lila akuzon LDK-në se s’po i ia jep Alternativës paratë që i takojnë

Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se fondet të cilat, sipas marrëveshjes, do të duhej t’ua ndanin edhe Alternativës për dy mandatet e fituara, pas prishjes së koalicionit, LDK ka vendosur që mos të vazhdojnë shpërndarjen e atyre fondeve.
“Ne jemi marrë vesh që ndan fondet nga KQZ dhe ka filluar kjo, mirëpo kur jemi nda, kam marrë një thirrje nga Haziri, i cili është përgjegjës për financa, që është vendim i kryesisë së nuk do të vazhdojë mbështetja”, ka thënë ajo në “Rubikon” të KTV-së.
“Fondet për Alternativën i mban për vete prej shtatorit. Kam besuar që ka me pas reflektim”.
Alternativa është për zgjedhje, meqë sipas kryetares së partisë, Mimoza Kusari-Lila, një situatë e tillë politike nuk mund të gjejë zgjidhje ndryshe, mirëpo jo në mënyrën siç po thonë dy liderët e partive opozitare, Albin Kurti e Isa Mustafa.
Kusari-Lila tha se të dy liderët duhet të ulen e të diskutojnë dhe jo të refuzojnë çdo dialog përveç shkuarjes në zgjedhje.
“Albin Kurti e Isa Mustafa duhet të ulen e të diskutojnë për zgjedhje. Unë e kuptoj se me këtë strukturë të Kuvendit, me këtë kompozicion, nuk mund të mendohet që mund të kalojmë marrëveshje me 2/3”, ka thënë ajo.
Rreth deklaratës së liderit të LDK-së-, ish-partnerit të koalicionit, Isa Mustafa, se Alternativa i ka votat e LDK-së, Kusari Lila ka thënë se nuk qëndrojnë dhe janë ndryshe nga ato që iu ka thënë Mustafa në takimet e mbyllura.
“Kemi kërkuar votat e të gjitha partive që kemi qenë bashkë dhe kemi qenë aty si përfaqësues të partisë, kemi qenë pjesë e një partie me katër parti të ndryshme. Albin Kurti e Shpend Ahmeti kanë qenë pjesë e një liste. PSD ka qenë një listë, Vetëvendosje ka garuar në një listë. LDK ka garuar me koalicion dhe këto dyja dallojnë. Është dokument i nënshkruar nga Isa Mustafa dhe nëse ka nevojë unë e publikoj këtë”, deklaroi Kusari-Lila.