Kusari-Lila: Haradinaj është totalisht i papërgjegjshëm

Kryetarja e Alternativa-së, Mimoza Kusari-Lila, e ka quajtur të papërgjegjshëm kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Kusari-Lila ka thënë se debati për heqjen e taksës tregtare ndaj Serbisë është bastarduar, kurse kokëfortësinë e Haradinajt e ka parë si absurde.

“Artikulimi i tij (Haradinajt) nuk është i një burrështetasi. Është një qëndrim i një njeriu që udhëheqë me egon e teket e tij. Totalisht i papërgjegjshëm. Është çështje e një kokëfortësie që nuk mund të sjellë rezultat edhe nëse blenë kohë”, ka thënë ajo.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës ka thënë se koalicioni që e drejton Kosovën nuk ka aftësi që të zgjidhë problemet me të cilat po përballet Kosova. “Fatkeqësia jonë është që kemi ardhur tek tema shumë të rëndësishme me një qeveri kaq të dobët. Kjo qeveri nuk është e aftë për t’iu dhënë epilog çështjeve”, ka thënë ajo. “Ky koalicion nga fillimi ka nxjerrë qëndrime të ndryshme. Aty janë katër kryeministra, por është një dallim me Ramush Haradinajn, të cilit tek dera i shkruan: Kryeministër”.

Kusari-Lila e ka parë të nevojshme që Kosova të ketë një qeveri teknike.

Ajo ka thënë se nënkryetari i Alternativa-s, Ilir Deda, ani se ende mbetet në subjekt, megjtihatë ai nuk ka marrë pjesë në aktivitetet e fundit partiake. “Pakënaqësia e tij ka filluar lidhur me ekipin negociator. Ai mendonte se Alternativa do të duhej të bëhej pjesë e ekipit negociator”, ka thënë ajo.

Lini një Përgjigje