Kusari-Lila reagon ashpër ndaj Ilir Dedës pasi që ky votoi pro buxhetit

Publikimi i fakteve se deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka votuar pro buxhetit dhe Ligjit për Dialogun, ka shtyrë reagimin e ashpër të kryetares së partisë, Mimoza Kusari–Lila.

Kusari-Lila ka shkruar përmes Facebook-ut në një sqarim publik se Alternativa nuk e ka mbështetur draft buxhetin e prezantuar dhe votuar në Kuvend.

Sipas saj ky është buxhet klientelesk, i varfërisë dhe i destimulimit të çfarëdo rritje punësimi ose rritje ekonomike.

“Si të tillë këtë projekt buxhet, Alternativa asnjëherë nuk e ka mbështetur, aq më pak, kushtëzimet që u bën për kalimin e tij.

Draftligji apo Ligji i sapo kaluar për delegacionin shtetëror për bisedime, nuk ka arritur të ketë asnjë mekanizëm për parandalimin e ndarjes apo lëvizjes së kufijve të Kosovës sipas modelit Thaçi – Vuçiç.

Fatkeqësisht, ky projektligj ia krijoi edhe një trup/mekanizëm shtesë Presidentit Thaçi për të finalizuar çfarë ka nisur vitin e kaluar.

Si i tillë, ky mekanizëm NUK është mbështetur me shumicë absolute nga Kryesia e Alternativës dhe qëndrimi zyrtar i partisë është KUNDËR këtij verzioni të miratuar”, ka shkruar Kusari-Lila.