Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë mbajti seancë solemne

Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë sot ka mbajtur seancë solemne, me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë seancë, përveç anëtarëve të kuvendit dhe qeverisë lokale, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë, Nasuf Aliu, tha se jemi mbledhur në këtë mbledhje solemne të kuvendit të komunës, e cila është përcaktuar me agjendën e Qeverisë të Republikës së Kosovës, për nder të shënimit të 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, gjegjësisht rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, deklaroi se Familja Jashari, Komandanti Legjendar i UÇK-së Adem Jashari, me sakrificën e tyre, shkruan rrëfimin më të mirë se qysh duhet atdheu. “Familja Jashari është vetë historia e lirisë së Kosovës dhe na shërben si frymëzim e mësim për ne e për gjeneratat e reja se sa e çmueshme është liria. Ata, dëshmorët sot janë të gjallë, por gjallërinë e tyre ne nuk arrijmë ta kuptojmë”, shprehet Tahiri.

Fjalimi i plotë i kryetarit të komunës:

Zonja dhe zotërinj,

“Sot të gjithë ne jemi mbledhur në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Komunës për të kujtuar dhe nderuar Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe sakrificën e madhe të familjes Jashari për liri dhe pavarësi.

Këtu e 20 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 Mars 1998, në Prekaz të Drenicës u zhvillua një nga betejat më të lavdishme të popullit tonë për liri. Kjo betejë udhëhiqej nga Ademi, Hamza, Shabani dhe u ndihmua nga secili anëtar i familjes Jashari deri në flijimin e tyre. Kështu në këtë betejë u vranë 53 anëtar të familjes Jashari, prej tyre 21 anëtar të familjes së Adem Jasharit e nga ta 10 ishin fëmijë. Kjo ishte një betejë e pabarabartë në çdo aspekt të saj: ishte e pabarabartë për nga armatimi e municioni që përdorej në këtë betejë, ndërsa ishte e pakrahasueshme për nga qëllimi që synohej të arrihej: në njërën anë një familje luftonte për të mbrojtur pragun e shtëpisë, për të rimëkëmbur dinjitetin njerëzor të një populli të tërë e në anën tjetër një ushtri e polici synonte të mbante të robëruar një familje, një popull të tërë.

Familja Jashari, Komandanti Legjendar I UCK-së Adem Jashari, me sakrificën e tyre, shkruan rrëfimin më të mirë se qysh duhet atdheu. Familja Jashari është vetë historia e lirisë së Kosovës dhe na shërben si frymëzim e mësim për ne e për gjeneratat e reja se sa e çmueshme është liria. Ata, dëshmorët sot janë të gjallë, por gjallërinë e tyre ne nuk arrijmë ta kuptojmë.

Adem Jashari, Shabani, Hamza e Kushtrimi janë heronjtë e mi, janë heronjtë e fëmijëve të mi dhe do të jenë heronjtë e gjeneratave që do ti vijnë, të çdo vajze e djali që nënat tona do të lindin në këtë truall të bekuar nga vet Zoti.

Ne e kemi për obligim që të bëjmë shtetin tonë të fuqishëm, të drejtë e  prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Sfidat i kemi të mëdha, ndonjëherë edhe nuk kemi qenë në lartësinë e detyrës që ka kërkuar atdheu, por Bac, sot jam i bindur më shumë se kurrë që Kosova për të cilën ju e dëshmorët dhanë jetën do të jetë vend ashtu si ju e ëndërruat: e lirë dhe sovrane ku fëmijët tanë do të rriten si gjithë fëmijët e botës”.

Lavdi!