Labinot Tahiri i bashkohet grupit parlamentar të AAK-së

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Labinot Tahiri, sot i është bashkuar AAK-së në Kuvend.
Deputeti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Labinot Tahiri, nga sot i është bashkuar grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi.

“Po deputeti Labinot Tahiri është pjesë e Grupit Parlamentar të AAK-së. Deputeti Tahiri i është bashkuar grupit parlamentar të AAK-së”, ka treguar Isufi.

Kalimin e tij në AAK e ka konfirmuar edhe vetë deputeti Labinot Tahiri.

Ai ka thënë se akoma është deputet i AKR-së, mirëpo vetëm i është bashkuar grupit parlamentar të AAK-së.

Tahiri, po ashtu, ka treguar edhe arsyen përse e ka bërë një veprim të tillë.

“Nuk është kalim, se unë qëndroj deputet i AKR-së, por ajo që më keni pyetur është në grup parlamentar se ne jemi vetëm dy deputetë dhe më është dashur të avancoj lidhur me njohurinë e ligjeve. E pa qenë në Komisione parlamentare nuk mund të ecën përpara asnjë deputet. Kështu funksionojnë grupet parlamentare”, ka treguar Tahiri për Lajmi.net.

Ai ka thënë se këtë kalim në AAK e ka bërë me lejen e kreut të partisë së tij, Behgjet Pacolli.