Lajçak: Asociacionit nuk mund t’i ikim, është çështje e ndjeshme por Serbia e sheh këtë si më të rëndësishmen

0
341

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak ka folur edhe për marrëveshjen e Asociacionit.

Në ditën e fundit të vizitës së tij në Kosovë, përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka mbajtur një konferencë për medie, ku ndër të tjerash ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Demokracia.com.

Lajçak tha se kjo është një marrëveshje të cilën Kosova e ka ratifikuar në Kuvend dhe se nuk ka zgjidhje tjetër përpos zbatimit të saj.

“Është zotimi të cilin e ka pranuar Kosova përfshirë këtu edhe përmes ratifikimit në Kuvend. Për këtë arsye ka një parim të mirënjohur të së drejtës ndërkombëtare që çdo gjë që është pajtuar duhet të zbatohet. Kjo nuk është diçka që Brukseli e kërkon, kjo është diçka që është rënë dakord në mes palëve, pra në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pozita jonë si BE është e drejtuar si në drejtim të Kosovës dhe Serbisë që ajo që është pajtuar duhet të zbatohet. Ka disa çështje të tjera në listën time të Kosovës dhe Serbisë, por siç e dini kjo është një çështje shumë sensitive sepse Serbia e sheh këtë si çështjen më të rëndësishme. Pra nuk mund t’i ikim kësaj çështjeje dhe kjo nuk është vetëm që t’i kënaqim Bashkimin Evropian por në të vërtetë që ta shtyjmë procesin përpara”, u shpreh Lajçak.