Lajm i mirë për mësimdhënësit kontribues të viteve të 90-ta

Që nga viti 2013 pagesat për kontributet e mësimdhënësve të viteve të 90-ta, respektivisht të kohës kur punonin në kushte pothuajse të ilegalitetit të plotë dhe të rrezikut nga regjimi diktatorial serb, po zvarriten pa gjetur akoma një zgjidhje konkrete.

Gazeta Express mëson se një komision, i përbërë nga përfaqësues të SBASHK-ut, Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Financave, ka arritur marrëveshje dhe projektligji i finalizuar pritet që këtë javë të përcillet në Qeveri, për t’u dërguar pastaj në Kuvend.

Këtë sot e bëri të ditur për Express Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, i cili u zotua se më në fund mund të gjendet një zgjidhje për këtë problem.

“Jemi në angazhimet e fundit lidhur me projektligjin për statusin e mësimdhënësve të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta dhe ka gjasa më të mëdha që ky ligj më në fund të shkojë këtë javë në Qeveri dhe të kalojë po këtë javë në parlament”, tha ai.

Jasharaj ka bërë të ditur se sot kanë biseduar edhe me anëtarë të MASHT-it, e tashmë po presin vetëm nga Ministria e Financave që të nënshkruajë për ngarkesën buxhetore.

“Kemi kontakte të përditshme me Ministrinë e Arsimit dhe sot kemi biseduar dhe po pritet që Ministria e Financave, që është pajtuar sepse kemi punuar në komision bashkë, të japë lejen, të japë nënshkrimin për pjesën e ngarkesës buxhetore dhe sot, eventualisht nesër, ministri i Arsimit do ta dërgojë këtë projektligj në Qeveri dhe ne jemi të sigurt që Qeveria do ta miratojë dhe do ta dërgojë në Parlament”, shtoi ai.

Fillimisht ky ligj ishte përcjellë për në qeveri, mirëpo ishte kthyer me arsyetimin se kostoja e kërkuar buxhetore ishte e lartë.

Ish-ministri i Arsimit Arsim Bajrami pat formuar një komision ku ishte punuar për arritjen e një marrëveshjeje dhe për tekstin final të këtij ligji.

“Është punuar vazhdimisht dhe në fund marrëveshja është arritur. Në pjesën e fundit të vitit të kaluar ka mbetur mosmarrëveshja te pjesa buxhetore dhe pastaj është arritur marrëveshja definitive dhe teksti final”  theksoi Jasharaj në deklaratën për Express.

Ai vlerëson se kjo është arritje e madhe, pasi që po u dalin borxh të gjithë atyre që kanë punuar në kushte të okupimit në vitet e 90-ta.

Në vitin 2013-të SBASHK-u kishte mbledhur mbi 20.000 mijë nënshkrime me të cilat i ishte drejtuar Kuvendit të asaj kohe për të njohur kontributet e mësimdhënësve të sistemit arsimor që veprimtarinë e zhvilluan nëpër shtëpi në vitet 1989-1999.

Më 6 janar 2016 Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për njohjen e përvojës së punës për këta mësimdhënës.

Me gjasë, tashmë janë tejkaluar të gjitha pengesat buxhetore dhe do të arrihet zgjidhja për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, që nga viti shkollor 1990 -1999./Gazeta Express/