Lajmërohet Xhelal Sveçla, pas publikimit të lajmit se u takua me Gjuriqin

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka treguar arsyen e takimit me drejtorin e të ashtuquajturës zyra serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka treguar se, është pjesëmarrës në një konferencë për Bashkepunim Rajonal, organizuar nga CIG dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

“Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues të shumë subjekteve politike parlamentare nga rajoni ynë. Sot ka qenë ceremonia e hapjes, dhe vendet dhe tavolinat se ku jane ulur pjesëmarrësit, i kanë caktuar organizatorët e jo pjesëmarrësit” ka shkruar Sveqla.

Tutje ai ka thënë se ka kundërshtarë tanë që jo vetëm se e kanë bërë por edhe e kanë shpërndarë këtë foto me qëllim të keq.

Shkrimi i plotë

Të dashur miq, po e shkruaj këtë sqarim jo për ju, por për ata që dëshirojnë keqkuptimin.

Une sot jam pjesëmarrës në një konferencë për Bashkepunim Rajonal, organizuar nga CIG dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësues të shumë subjekteve politike parlamentare nga rajoni ynë. Sot ka qenë ceremonia e hapjes, dhe vendet dhe tavolinat se ku jane ulur pjesëmarrësit, i kanë caktuar organizatorët e jo pjesëmarrësit.

E kuptoj se ka kundërshtarë tanë që jo vetëm se e kanë bërë por edhe e kanë shpërndarë këtë foto me qëllim të keq.

Dua të sqaroj se Lëvizja Vetëvendosje nuk funksionon duke braktisur tryezat. Qëndrimi ynë është të marrim pjesë në çdo diskutim, të argumentojmë qëndrimet tona dhe të pamundësojmë marrëveshjet në dëm të Kosoves, ndryshe nga paraardhësit tanë.