Lapidari i dëshmorit Enver Tahiri, përurohet në 20 vjetorin e rënies së tij (Foto, Video)

0
1148

Brenda disa ditëve do të përfundojnë punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorit të Kombit Enver Tahiri.

Ky Lapidar, i cili po ndërtohet në mes të lagjes Duraku dhe Tahiri, në fshatin Strofc të Komunës së Vushtrrisë, po kryhet me ndihmën e familjarëve të dëshmorit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Vlen të theksohet se mjeshtrit për punimin e Lapidarit, e të cilët në mënyrë vullnetare e kanë nisur dhe do ta përfundojnë, janë ushtarët e UÇK-së Ahmet Klinaku nga fshati Bivolak dhe Rrahim Behrami nga fshati Brezhnicë.

Përfundimi i punimeve dhe përurimi i Lapidarit, do të bëhet me datën 18 prill 2019, pikërisht me rastin e 20 vjetorit të rënies së tij.

Enver Tahiri ishte pjesëtar i skuadrës së parë në togën e Strofcit, kompania e dytë, Batalioni i Parë i Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ka marrë pjesë në betejat e zhvilluara në Hamidi, Gurakuq, Strofc, Bivolak, Beçuk, Trimor, Lajthi, Druar, Hade, Bardh i Madh, Mihaliq, Gradicë etj. Më 18 prill 1999 u bë beteja e fundit, por krenare e Enverit me forcat armike serbe. Pas një qëndrese të pashembullt heroike, Enver Tahiri bie dëshmor, afër kishës së Dushmanit në Qyqavicë./Fokusi.info/