Latifi: Ende po jepen certifikata për veteranë të rrejshëm dhe ato printohen në Zyrën e Kryeministrit

0
176

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së Blerim Latifi ka deklaruar se edhe këto ditë po shpërndahen certifikata për veteranët e rremë të luftës e të cilët printohen në Zyrën e Kryeministrit.

Latifi në Debat Plus tha se kanë informata të sakta që këto certifikata po shpërndahen nga partitë politike në prag të zgjedhjeve për vota elektorale.
Por Latifi thotë se ditët në vijim do të dalin me raste konkrete dhe me emra të atyre që po i bëjnë këto.

Qeveria e udhëhequr nga Kadri Veseli do t’i largojë mashtruesit nga lista e veteranëve

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës Blerim Latifi ka thënë se janë disa shkaktarë për listat e fryra të veteranëve të luftës.

Latifi në Debat Plus në RTV Dukagjini ku po diskutohet tema për veteranët tha se Komisioni për verifikimin e veteranëve nuk e ka pasur përvojën në këtë temë, ndërsa ai ua lë fajin edhe disa nga komandantët që kanë nënshkruar listat me veteranë të rrejshëm për interesa të ndryshme.

“Madje disa nga komandantët mohojnë se ka lista të fryra. Konkretisht nga AAK e thonë këtë”, tha Latifi. Sipas tij nga listat që kanë dalë 17 mijë veteranë janë nga Zona e Dukagjinit dhe kjo nuk është e vërtetë.

“UÇK i ka pasur jo më shumë se 15 ushtarë”, tha Latifi. Përfaqësuesi i PDK-së tha se listat e fryra i japin shije të keqe dhe e dëmtojnë reputacionin e UÇK-së. Latifi tha se ky fenomen i shëmtuar po e dëmton edhe buxhetin e Kosovës dhe sipas tij ky është krim dhe duhet të ndalohet.

“Ky krim duhet të ndalohet dhe do të ndalet kur të vjen në pushtet PDK me kryeministër Kadri Veselin”, tha Latifi. Sipas tij PDK është e para që ka reaguar ndaj kësaj dukurie duke shtuar se ky fenomen ka shpërthyer në kohën sa kryeministër ishte Isa Mustafa dhe LDK e kishte Ministrinë e Financave.