Latifi-Matoshit: “Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy / Do të putheshim apo kishim për t’u pshty?”

Konstatimet e Halil Matoshit se Rusia ka dorë në ikjen e të rinjve nga Kosova, po i cilëson si të gabuara këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifi.

Në një reagim në profilin e tij, Latifi thotë se konspiracionet e tilla përmes të cilave po mundohen të arsyetohet këshilltari i kryeministrit Haradinaj, janë të dëmshme si për mendjen por edhe për qeverisjen.

Sipas Latifit, nuk mund të mbulohen dëmet e vetëshkaktuara, duke pretenduar se dikush nga jashtë ka dorë në zhvillimet negative brenda Kosovës.

Latifi nuk e mohon që Serbia angazhohet për një gjë të tillë, por thotë se të bazuarit në konspiracione të tilla është një tregues që në Kosovë ka endje mbetje të mentaliteit totalitar, që gjithmonë dështimet brenda vendit, shihen si veprime që vijnë nga dora e një armiku të jashtëm.

Në fund Latifi ka vendosur edhe ca vargje të Azem Shkrelit.

“Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy Do të putheshim apo kishim për t’u pshty”.

Shkrimi i plotë:

Koha me pa veten në pasqyrë

E lexova intepretimin e Halil Matoshit për largimin e të rinjëve nga Kosova. Edhe disa reagime ndaj këtij interpretimi.

20 vite pas çlirimit nuk është punë e mençur që problemet tona të vazhdojmë t’i shpjegojmë me idenë e konspiracioneve të mëdha kundër nesh. Kjo ide është mbetje e mentalitetit totalitar, në të cilin dështimet e brendshme gjithmonë shiheshin si veprime subverzive të armikut të jashtëm. Me këtë nuk dua të mohoj përpjekjet e Serbisë për të minuar shtetin e Kosovës, përpjekje që janë shumë reale, shumë dimensionale, të vrazhda, e të sofistikuara.

Ajo që dua të vë në pah është se alibitë e kërkuara në konspiracionet e jashtme për problemet e vetshkaktuara, na shmangin nga ndjenja e përgjegjësisë për këto probleme. Kaq mjafton që të vazhdohet në thellimin e tyre.

Duhet t’i lëmë shpjegimet konspirative. Janë dyfish të dëmshme : për mendjen dhe qeverisjen. Duhet ta shohim veten në pasqyrë.

Azem Shkreli, poeti i njohur pejan që iku herët nga kjo botë, ka një poezi briljante për ballafaqimin me veten. Poezia titullohet “Njerëzit”, dhe sot ajo na thotë shumë.

Në këtë poezi Azem Shkreli shkruan:

Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy

Do të putheshim apo kishim për t’u pshty?

Dy vargje. Një pyetje retorike. Dhe përgjigjja e dhënë në vetë pyetjen!

Lini një Përgjigje