LB: Bisedimet në fazë të re, por me qasje të vjetër

0
486

Lëvizja për Bashkim konsideron se Kosova po hyn në fazën, e ashtuquajtur, finale të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por me qasje të vjetër. 

“Kështu, përkundër kohës së mjaftueshme për të bërë përgatitjet e domosdoshme për këto bisedime, përfaqësuesit e Kosovës do të shkojnë atje si çdo herë tjetër deri më tash, të papërgatitur. Përgjegjës për këtë situatë janë të gjitha subjektet politike që i kanë kontribuuar krijimit të dy blloqeve ekstreme, sa i përket qëndrimeve rreth bisedimeve. Njëri bllok ka qenë kategorik kundër zhvillimit të këtyre bisedimeve, ndërsa tjetri ka qenë i vendosur në favor të tyre me çdo kusht. Kjo e ka shkaktuar një betejë të panevojshme në mes vete, në vend se të përgatiteshim së bashku për betejën kundër Serbinë. Kjo ka ndodhur në fazën e mëhershme të bisedimeve, kjo po ndodhë edhe sot. Ndryshon vetëm arsyetimi”, thuhet në komunikatën e LB-së.

Sipas LB-së, bisedimet e mëhershme janë përcjellë me një refuzim kategorik të bisedimeve nga një pjesë e opozitës, në njërën anë, dhe me insistimin e palëkundur për bisedime pa konsensus e pa platformë, në anën tjetër. Rezultatet dihen. Bisedimet e tanishme po përcillen me refuzim kategorik të presidentit si udhëheqës të bisedimeve, në njërën anë, dhe insistimit të palëkundur të tij për t’i vazhduar ato. Pra, në të dy fazat e bisedimeve, si pozitë ashtu edhe opozitë, nuk kanë pasur asnjëherë qëllim arritjen e konsensusit dhe nxjerrjen e platformës për bisedime. Të dy palët, çështjen e bisedimeve e kanë konsideruar si një aset për të bërë luftë politike partiake.

Lëvizja për Bashkim u bën thirrje të gjitha forcave politike që në këto momente vendimtare për vendin, ta lënë anash betejën në mes vete për interesa partiake dhe që të punojmë të gjithë se bashku që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë. Është kohë e vendimeve të mëdha, prandaj edhe përgjegjësia e secilit do të jetë e madhe.

Lëvizja për Bashkim e ka ofruar propozimin e saj për platformë dhe pret një përgjegjshmëri të tillë edhe nga subjektet tjera politike. Çdo gjë tjetër është lojë politike.