LB kërkon mbylljen e menjëhershme të lojrave të fatit edhe në Kosovë

0
302

Përmes një deklarate për medie, Lëvizja për Bashkim ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ndërmarr hapa të shpejtë për mbylljen të gjitha lojrave të fatit në Kosovë.

“Pas vendimit për mbylljen e lojërave të fatit në Republikën e Shqipërisë, është vërejtur dukuria e shtimit të tyre në Republikën e Kosovës. Pra, pronarët e këtyre lojërave nuk kanë hequr dorë nga biznesi i tyre por vetëm kanë ndërruar hapësirë”, thuhet në deklaratën e LB-së.

“Duke qenë se lojërat e fatit, më shumë se zgjidhje e problemeve ekonomike dhe të mirëqenies për qytetarët, shkaktojnë probleme të reja për familjet e tyre dhe shoqërinë në përgjithësi, Lëvizja për Bashkim kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që të ndjekin shembullin e atyre të Republikës së Shqipërisë dhe, përmes ndryshimeve të nevojshme ligjore, ta pamundësojnë veprimin e këtij lloji të biznesit në vendin tonë”, konstaton LB në deklaratën e saj.

Në fund, Lëvizja për Bashkim ka konkluduar “se ky do të ishte një hap thelbësor në kuadër të luftës kundër kriminalitetit që, rrjedhimit, do të ndikonte edhe në aspektin e forcimit të sigurisë publike në vendin tonë”.