LB paraqet platformën politike për bisedime me Serbinë në tryezën e organizuar nga PSD

0
606
Lëvizja për Bashkim ka kritikuar tryezën e organizuar nga Partia Socialdemokrate, që u mbajt sot.
Sipas LB-së, edhe në tryezën e katërt me radhë të partive politike, të organizuar nga PSD, u vazhdua avazi i vjetër i diskutimeve pa rezultat dhe duke u marrë me formën e formatin e bisedimeve e jo me përmbajtjen e tyre, pra me nevojën urgjente që e ka Kosova për një platformë politike për bisedimet me Serbinë.
Lëvizja për Bashkim ka qenë e bindur dhe mbetet e palëkundur se para se të bisedojmë se kush duhet të shkojë në bisedime me Serbinë shumë më e rëndësishme është që Kosova ta ketë platformën e saj e pastaj e ti zgjedh negociatorët.
Prandaj, Lëvizja për Bashkim, në tryezën e katërt të partive politike, ua dorëzojë atyre materialin me parimet bazike që sipas LB-së duhet ti përmbajë platforma jonë politike në bisedimet me Serbinë.
Parimet thelbësore të platformës politike të LB-së për bisedime me Serbinë
Lëvizja për Bashkim që në vitin 2010, duke besuar se bisedimet politike janë e vetmja rrugë për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë ka hartuar Platformën Politike për zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe. Në thelb të kësaj platforme qëndron parimi i reciprocitetit në zgjidhjen e problemeve të mbetura në mes të dy vendeve dhe dy popujve.
Lëvizja për Bashkim do të këmbëngul në këtë parim, sepse është e bindur se vetëm zgjidhje e bazuar në reciprocitet e problemeve të mbetura me Serbinë është e qëndrueshme dhe sjell shumë të mira për të dyja palët.
Pikat kryesore të platformës së LB-së:
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe e panegociueshme. Të vetmet probleme që kanë mbetur të pazgjidhura dhe që duhet të zgjidhen me dialog janë: Presheva, Bujanoci e Medvegja dhe Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku.
Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, përderisa Serbia mbanë të shtypur dhe pa të drejta elementare Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, mbanë të ndarë dhe vazhdon spastrimin etnik dhe kolonizimin e Mitrovicës si dhe bën obstruksione të vazhdueshme ndaj pavarësisë së Kosovës. Vetëm zgjidhja e drejtë dhe me reciprocitet ndërshtetëror të këtyre problemeve i shtendos raportet Kosovë-Serbi dhe vetëm pastaj mund të flitet për normalizim e zhvillim normal të të dyja vendeve.
Bisedimet me Serbinë duhet të riformatohen urgjentisht. Shtylla kryesore në bisedimet e ardhshme duhet të jetë reciprociteti në të drejta në mes të banorëve të komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në njërën anë, dhe Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, në anën tjetër.
Parimi i reciprocitetit kërkon që nëse serbët e Kosovës kanë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës dhe të drejtën e votës së dyfishtë, edhe shqiptarët që jetojnë në Serbi të kenë në përqindje të njëjtë vende të garantuara në Kuvendin e Serbisë dhe të drejtën e votës së dyfishtë. Kjo duhet të përcillet edhe me jetësimin e të drejtave të tjera të shqiptarëve që Serbia duhet t’i zbatojë sipas modelit të zgjidhjeve që zbatohen në Kosovë për serbët, duke filluar me një fond të posaçëm për Kosovën Lindore, pastaj me organizimin gjyqësor dhe policor, e deri tek asociacioni i komunave shqiptare në Kosovën Lindore.
Ndarja e Mitrovicës dhe krijimi i komunës serbe të Mitrovicës Veriore ka qenë një gabim i madh dhe me pasoja të rënda. Në Mitrovicën e ndarë padrejtësisht duhet urgjentisht të kthehen shqiptarët e dëbuar në pronat e veta si hapi i parë për zgjidhjen e këtij problemi të rëndë për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Zgjidhja në bazë të parimit të reciprocitetit e çështjeve të mbetura të pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të duhej të ishte shtylla kurrizore e platformës së Kosovës për bisedime, do të sillte këto të mira:
Kosova do të lirohej nga hija e Pakos së Ahtisarit dhe do të mund t’i hynte pa pengesa ndryshimeve kushtetuese, që do ta funksionalizonin sovranitetin e plotë të saj;
Kosovës do t’i krijoheshin kushtet për t’iu kthyer me të gjitha forcat zhvillimit ekonomik, luftës kundër papunësisë, luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar;
Kosova do të lirohej nga pengesat për integrimet ndërkombëtare;
Kosova do të lirohej nga pengesat për integrimet kombëtare deri në referendumin për bashkim të plotë kombëtar;
Presheva, Bujanoci e Medvegja do të çliroheshin nga shtypja e shfrytëzimi, nga asimilimi e braktisja e vatrave të veta.