LB: Platforma më e re e Serbisë për Kosovën është ndërhyrje flagrante në çështjet e brendshme të një shteti sovran

Lëvizja për Bashkim nëpërmjet një komunikate për media shpreh shqetësimin e saj lidhur me faktorët politikë në Serbi, faktorët nacional-shovinistë, të cilët kanë paralajmëruar një platformë “për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës”. Sot kjo platformë pothuajse u bë e ditur edhe për opinionin e gjerë publik.

“Ka kohë që faktorët politikë në Serbi, faktorët nacional-shovinistë, kanë paralajmëruar për një platformë “për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës”. Sot kjo platformë pothuajse u bë e ditur edhe për opinionin e gjerë publik”, thuhet në komunikatën e LB-së.

Duke i ditur orientimet dhe veprimet e deritashme politike të këtyre faktorëve serbë, nuk na habit fakti se pse kjo platformë është kaq iluzore dhe kaq jashtë kohës e zhvillimit real të ngjarjeve.

“Serbia duhet ta kuptojë një herë e mirë faktin se Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe kjo gjë është e panegociueshme dhe e pakthyeshme!”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Vërtet pas luftës, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë mbetur probleme të pazgjidhura në mes të dyja vendeve dhe burrështetasit e të dyja vendeve, nëse ua duan të mirën qytetarëve të vet, do të duhej realisht të përpiqen t’i zgjidhin ato. Dhe këto probleme janë: Presheva, Bujanoci e Medvegja, në njërën anë, dhe Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku, në anën tjetër. Këto nuk duhet neglizhuar dhe këtu vërtet duhet zgjidhje largpamëse e kreative. Të tjerat janë ëndrra të vjetra që vetëm sa zgjojnë tensione të reja. Të gjitha problemet e tjera, duke përfshirë edhe ndarjen artificiale të Mitrovicës, janë probleme të brendshme të Kosovës dhe nuk ka bisedime për to!

“Platforma më e re e Serbisë për Kosovën është ndërhyrje flagrante në çështjet e brendshme të një shteti sovran dhe Qeveria e Kosovës duhet t’i përgjigjet menjëherë!”, thuhet në përfundim të komunikatës.