LB: Qeveria e Kosovës ka hartuar një shkresë, e jo një platformë

Lëvizja për Bashkim (LB) i ka bërë thirrje gjithë spektrit politik shqiptar për një angazhim serioz e të sinqertë, në punën për hartimin e një platforme për zgjidhjen e problemeve që Kosovën po e mbajnë të gozhduar në shumë aspekte.
Sipas LB-së, Qeveria e Kosovës ka hartuar një shkresë, e jo një platformë.
“Qeveria e Kosovës edhe në këtë mandat do të vazhdojë bisedimet me Serbinë pa platformë politike për zgjidhjen e problemeve që Kosovës i kanë mbetur pas shpalljes së pavarësisë.
Ajo që sot prezantoi Qeveria e Kosovës dhe të cilën dëshiron ta quaj platformë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, as nuk i ngjanë një platforme”, thuhet në njoftimin e LB-së.
“Për më keq, edhe në këtë shkresë, si edhe në fazat e mëhershme të dialogut, ka vazhduar qasja e vjetër ndaj këtij dialogu: Kosova me Serbinë bisedon vetëm për çështjen e serbëve në Kosovë dhe në përputhje me kompromiset ndaj tyre kërkon favore në integrimet ndërkombëtare! Kjo qasje e ka dëmtuar dhe do të vazhdojë ta dëmtojë Kosovën. Problemet jo vetëm që nuk do të zgjidhen, por do të komplikohen edhe më shumë”.
“Injorimi i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, mbyllja e syve para ndarjes së Mitrovicës dhe spastrimit etnik e kolonizimit të saj, bllokada institucionale me anë të fuqisë juridike të serbëve në Kuvendin e Kosovës, ndarja etnike përmes decentralizimit, asociacioni i komunave me shumicë serbe etj., do të jenë burim aktiv i problemeve dhe jofunksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Prandaj, Lëvizja për Bashkim edhe një herë e thërret të gjithë spektrin politik shqiptar për një angazhim serioz e të sinqertë, në punën për hartimin e një platforme për zgjidhjen e problemeve që Kosovën po e mbajnë të gozhduar në shumë aspekte.