LDK: Do të shqyrtohet ligjshmëria e çdo vendimi të marrë pas dorëheqjes së Haradinajt

0
260

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin për emërimet, siç i quan, të kundërligjshme të ambasadorëve që së fundi i ka bërë Qeveria në dorëheqje, duke paralajmëruar se me ardhjen e kësaj partie në pushtet, do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Me këto veprime, ministri i dorëhequr i Punëve të Jashtme, bashkë me kryeministrin e dorëhequr Haradinaj dhe presidentin Thaçi kanë degraduar edhe më tej shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, përkundër rastit në shqyrtim për kompetencat e Qeverisë së dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese, thuhet në komunikatën për media të kësaj partie.

LDK konsideron se veprimet e tilla janë në dëm të interesit publik dhe politizojnë edhe më tej shërbimin diplomatik.

Krahas saj, LDK dënon ashpër edhe veprimet e koalicionit PAN për të ftuar mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme për emërimin e ambasadorëve politikë një ditë para shpërndarjes së Kuvendit.

“Kryetarja e Komisionit dhe anëtarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së, kanë refuzuar ta thërrasin këtë mbledhje dhe të marrin pjesë, sikur edhe në çdo rast tjetër të emërimit të ambasadorëve politikë”, thuhet më tej në komunikatë.

“Ky koalicion po e izolon çdo ditë e më shumë Republikën e Kosovës ndërkombëtarisht për qëllim të rehatimit të militantëve partiak në pozitat kyçe të institucioneve. Me ardhjen e LDK-së në Qeveri, do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së kryeministrit. Për LDK-në është shumë e rëndësishme që secili vendim të realizohet në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe parimin e meritokracisë”, përfundon komunikata.

Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka marrë vendim për të emëruar ambasadorë të karrierës, që do ta përfaqësojnë Kosovën jashtë.