LDK e matur, i kërkon VV’së të bëjë kompromise nëse do koalicion

Zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së partisë ka thënë se janë unik në qëndrime, ndërkohë sa i përket mundësisë së arritjes se një koalicioni për bashkëqeverisje, ka thënë se është e nevojshme që palët të bëjnë kompromise.

“Ne jemi unik në qëndrime. Kemi përafrime me VV’në. Takimet do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjes. Do të vazhdojnë negociatat deri në arritjen e një koalicioni për bashkëqeverisje. Nuk kemi barrikedime. Jemi duke biseduar që së bashku të arrijmë deri në një marrëveshje”, ka thënë Mustafa, raporton Express.

Se a do të këtë marrëveshje sot në takimin e pasdites mes dy liderëve, Mustafa ka thënë që kjo mbetet të shihet.

Mustafa ka thënë se për arritjen e një marrëveshje duhet që palët të bëjnë kompromise.

“Ne jemi duke ndërtuar mirëbesim me VV’në. Gjithë temat do të diskutohen në takimin e radhës. Pjesë e marrëveshjes është që të gjitha palët të bëjnë kompromise. Pra diskutimet do të vazhdojnë në tavolinën e negociatave”, ka thënë ndër të tjera Mustafa.

Sot ndërkohë në orën 16:00 pritet që të takohen kreu i LDK’së, Isa Mustafa dhe ai i VV’së, Albin Kurti.