LDK-ja bën koalicion me PDK-në

Zgjedhja e Qaush Balajt si kryesues i Kuvendit të Istogut ka shpëtuar këtë komunë pa shkuar përsëri në zgjedhje për asamblenë komunale.

Balaj është zgjedhur në orët e vona të së shtunës në seancën e zgjedhjes së kryesuesit.

Në garë ishin dy kandidatë, Balaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Radenko Beloshoviq, nga minoriteti serb si kandidat i pavarur.

Beloshoviq nuk mori asnjë votë, kurse për Balajn e votuan 18 asamblistë, nga 26 sa ishin në sallë.Gjashtë asamblistët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe dy të Lëvizjes Vetëvendosjen bojkotuan votimin.Zgjedhja e Balajt erdhi vetëm pasi LDK-ja bëri koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.

Kryetari i Istogut nga radhët e LDK-së, Haki Rugova, tha në një deklarim për Klan Kosovën se kanë bërë koalicion me PDK-në dhe kështu katër asamblistë të kësaj partie votuan kandidatin e tyre.Nga ky koalicion PDK-ja fiton tri drejtori, por ende nuk dihet se cilët sektorë të komunës do t’i udhëheqë.