LDK-ja paralajmëron padi për Hashim Thaçin në Gjykatë Kushtetuese

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar padi në Gjykatën Kushtetuese ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për shkak se ky i fundit po e zvarrit procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

Shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se ende nuk janë emëruar anëtarët e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, për të cilin institucion thotë se është paralizuar.

Sipas tij, nëse presidenti i vendit nuk vepron në bazë të kompetencave të tij kushtetuese në raport me emërimet në KQZ, atëherë ai do të përballet me padinë e LDK-së.

“Ende nuk janë emëruar anëtarët e KQZ-së nga ana e presidentit. Po bëhen 10 muaj që KQZ është e pa autorizuar. Janë plot anëtarë në kuvende komunale dhe deputetë që presin për certifikim. Presidenti ka obligim kushtetues që të emërojë anëtarët e KQZ-se, ai duhet të veprojë sipas Kushtetutës, ndryshe do të përballet me padinë e Lidhjes Demokratike në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Hoti.