LDK: Të hiqet taksa ndaj Serbisë, e dëmton vendin tonë

0
383
Kryetari i Komunës së Pejës nga radhët e LDK-së Gazmend Muhaxheri, e ka konsideruar si të ngutuar vendimin e qeverisë për taksën ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina. Ai thotë se duhet të shfuqizohet ky vendim, sepse e dëmton vendin.
Muhaxheri, ka paralajmëruar përkeqësim të situatës në vend, në rast se qeveria nuk i bindet kërkesës së SHBA-së për heqje të taksës.
“Veprimet e fundit të qeverisë janë duke e dëmtuar vendin dhe duke e konfrontuar me partnerin aleat SHBA-në. Nuk jemi ne Gjermani dhe me i kundërshtu politikat e SHBA-së. Duhet me pa që veprimi i qeverisë nuk ka qenë veprim i duhur”, ka thënë ai në emisionin “Rubikon” të KTV-së.
Në anën tjetër nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu ka kundërshtuar idenë për pezullim të taksës ndaj shtetit serb deri në përfundimin negociatave në Bruksel, duke thënë se ky vendim do ta dëmtonte pozicionin e vendit ndaj Serbisë.
“Këtu dëgjova që mund të hiqet taksa në rast se bëhet fjalë për një konferencë përmbyllese dhe të heqet taksa para se të filloj dialogu, por kjo e dobëson Kosovën para Serbisë. Nuk duhet të hiqet taksa pa u ndryshu qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës”, tha Aliu në emisionin “Rubikon” të KTV-së.
Aliu, tha se taksa ka qenë një veprim i thjeshtë dhe një kundërpërgjigje normale. “Ka qenë një veprim I duhur, I cili nuk I prish marrëdhëniet me Shtetet e Amerikës”, u shpreh ai.
Tutje, numri dy i VV-së u shpreh se ka qenë inkurajuese deklarata e Kryeministrit Ramush Haradinaj, në konferencën e sotme për media pas takimit me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.