Lekaj: Do të befasoheni me rezultatin e AAK-së

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka bërë me dije se kjo parti do të marrë rezultat të mirë në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit.

Ai ka thënë se strukturat e AAK-së janë angazhuar maksimalisht dhe presin mbështetje të madhe të qytetarëve të Kosovës në këto zgjedhje.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Epoka e re, Lekaj ka paralajmëruar se rezultati i këtij subjekti politik do të jetë befasi. “Presim mbështetje masive si kurrë më parë në këto zgjedhje. Nuk merremi shumë me sondazhe. Ne jemi duke vazhduar punën në terren dhe besoj se do të befasoheni nga rezultati që do të korrë AAK-ja më 14 shkurt”, ka thënë Lekaj.

Ai ka treguar se nga takimet në terren, që kanë me strukturat dhe elektoratin e AAK-së, vërehet disponim i lartë i qytetarëve për ta mbështetur këtë subjekt politik. “AAK-ja gjithmonë qëndron në terren, pranë strukturave të veta dhe është më se normale që zgjedhjet e motivojnë edhe më shumë, prandaj vërehet disponim shumë i lartë për ta mbështetur Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidimin e Ramush Haradinaj për president”, ka deklaruar Lekaj.

Më tej, nënkryetari i AAK-së ka përmendur edhe arsyet pse qytetarët duhet ta votojnë këtë subjekt politik. “Programi i AAK-së në këto zgjedhje përmban aspektin ekonomik të rimëkëmbjes që është duke lënguar nga pasojat e Covid-19 dhe aspektin politik të prosperitetit dhe avancimit të Kosovës në rrugën euroatlantike. Këto janë dy arsyet kryesore që votuesit duhet ta votojnë AAK-në”, ka thënë Lekaj.