Lekaj: Tuneli i Mitrovicës përfundon brenda 25 ditëve

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për punimet për sanimin e tunelit në rrugën nacionale N-2 segmenti Mitrovicë-Qabër.
Lekaj tha se janë paraqitur disa probleme në lidhje me punimet si dhe kontratën, mirëpo të martën janë zgjidhur të gjitha problemet.
Sipas tij, punimet në këtë tunel do të përfundojnë brenda 25 ditëve, transmeton Telegrafi.
“Kemi pas probleme sa i përket kontratës, nuk ka qenë e definuar kontrata d.m.th projekti. Pothuajse punët që janë kryer e kanë përmbushur kontratën dhe pozicionet nuk i kanë paraparë sepse nuk mund ta lëmë në gjendje të keqe prapë. Kam kërkuar që të kryhen brenda standardeve dhe dje e kemi zgjidhur këtë çështje. Brenda 25 ditëve do të përfundoj”, ka thënë ministri Pal Lekaj.
Ai po ashtu foli edhe për projektet e rrugëve nëpër komunat e Kosovës, të cilat i ka bërë publike në rrjetin e tij social Facebook.
“Po i postojmë të gjitha projektet veç e veç për çdo komunë, në të gjitha komunat e Kosovës ne kemi projekte që janë duke u mbështetur nga ministria e Infrastrukturës dhe Transportit. 1.9 milion investime pasi janë shumë rrugë lokale, në Skenderaj. Ndërsa, Prizrenin ia kemi  lënë buxhetin 1.6 milion pasi ka rrugë të shtruara”, u shpreh ministri, Pal Lekaj.
Ndryshe, punimet për sanimin e tunelit në rrugën nacionale N-2 segmenti Mitrovicë-Qabër, kanë filluar më 12 nëntor të vitit të kaluar.