Lenjani: “Me lot në sy e them se sa të jetë Panucci aty, s’do ta veshi fanellën Kuq e Zi”

0
286

Ermir Lenjani deklaron se nuk do ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare derisa të jetë Christian Panucci aty.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka treguar formën e mirë që po kalon duke luajtur për Sionin e Zvicres, por nuk ka hezituar të shprehë shqetësim ndaj trajnerit Christian Panucci, i cili sipas tij po e injoron si asnjë trajner tjetër më parë.

Postimi i plotë i tij:

“Që nga viti 2013 jam pjesë e Kombëtares shqiptare dhe ndihem krenar për këtë gjë. Saherë jam ftuar e kam pranuar ftesën me dëshirën më të madhe pasi çdo herë kur e kam veshur fanellën kuq e zi e kam veshur me shumë dashuri. Kam qenë gati gjithmonë, kam sakrifikuar shumë, jam gjakosur, kam qarë e kam qeshur si futbollist i Shqipërisë. Kam pranuar edhe stolin, por jam respektuar gjithmonë. Tani në dy vitet e fundit jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë, por po injorohem nga trajneri momental i Kombëtares. Nuk kam luajtur asnjë minut në Ligën e Kombeve, por nuk kam bërë zhurmë dhe kam vazhduar të punoj edhe më fort. Kur lëndohen 4-5 lojtarë trajnerit i bie në mend që luan dikund Ermir Lenjani dhe më dërgon ftesë. Faleminderit, por JO. Me lot në sy e them se nuk do të grumbullohem më me Kombëtaren sa të jesh ti aty. Kam kontribuar shumë dhe meritoj respekt. Dashuria ime për Shqipërinë është më e madhe se urrejtja jote për mua. Unë kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem djal i Shqipërisë, ndërsa ti je vetëm kalimtar”.