Letër e hapur bashkëluftëtarëve të mi !

Shkruan Agim Kuleta

Bashkëluftëtarë të dashur,

Çdo ditë e më shumë po shoh nervozë, mllef e pezm në shkrimet tuaja. E kuptoj secilin prej jush, sepse disa po na e heqin me thonj koren e plagës së luftës e po na rikthejnë dhimbjet. E këto dhimbje po janë edhe me te mëdha sesa ato të shkaktuara nga plumbi e granata, sepse po na vijnë nga ata qe i duam më së shumti, njerëzit tanë. Kjo vërtet na lëndon shumë por nuk duhet të na dëshpërojë aspak.

Ne kemi luftuar për liri dhe këtë nuk e kemi bërë për mburrje. Nuk ka njeri në botë që i del përpara tankut e gjithë asaj artilerie për mburrje. Nuk ka njeri në botë që i plagosur, duke dhënë shpirt, mundohet të ngritet përsëri e të mos i lë shokët në front me një pushkë më pak, vetëm e vetëm për t’u mburrur për këtë heroizëm të tij. Nuk ka njeri, që në ngricat e tmerrshme të dimrit, ia mësynë Pashtrikut plot prita me mbi 40 kg armë e municion në shpinë, për t’u mburrur një ditë. Askush nuk do të ishte në gjendje të bënte asnjë nga këto sakrifica sikur të mos e ndjente veten si shërbëtor të popullit të tij, që po përpiqej dëshpërueshëm të çlirohej nga robëria.

Prandaj, e di që asnjërit prej jush nuk u dhemb pse dikush po ua mohon këto përpjekje ju, personalisht. E di që u dhemb, deri në palcë, kur ata ia mohojnë këtë përpjekje popullit tonë. Sepse nga një mohim i tillë mund të pësojë e ardhmja, jo e kaluara e tij. Çka do të mendojnë brezat e ardhshëm kur do të ndodhen para detyrës ndaj atdheut, e u kujtohet mohimi i tillë i sakrificës së nënave e etërve të tyre?

Po, është e vërtetë që ata po e përdorin gjuhën e tyre për të ngjallur urrejtje e përçarje, por ne duhet ta përdorim tonën për të ngjallur dashuri e tolerance. Ne nuk guxojmë të biem në gabimin e tyre. Sepse kjo është për të mirën e kombit tonë, që është edhe ideali ynë i përjetshëm.

Ata edhe mund të thonë se ne nuk e kemi çliruar vendin tonë, nuk ka problem. Por ne, pavarësisht mohimit, asnjëherë nuk do të pendohemi për atë që kemi bërë. E vetmja gjë për të cilën mund të pendohemi është që nuk kemi pasur mundësi të bëjmë dhjetëfishin, qindfishin e saj. Në fakt, ne nuk kemi as pse ta mbrojmë këtë luftë. Ata po luftojnë kundër të vërtetës dhe e vërteta nuk ka nevojë për mbrojtje. Faktet mbesin aty, pavarësisht se a i mohon apo i mbron dikush.

Thoni që ata janë të pacipë e arrogantë kur na fyejnë. E vërtetë, por ne duhet te jemi falës e mëshirues edhe kur fyhemi. Ne nuk duhet t’i urrejmë e luftojmë ata, sepse qëllimi ynë nuk është hakmarrja ndaj njerëzve tanë, por luftimi i të keqes brenda tyre. Duhet të solidarizohemi me anën e mirë të tyre e të përpiqemi t’i nxjerrim nga kjo errësirë e pafund shpirtërore në të cilën janë zhytur. Në fund të fundit, këtë e ka liria për të cilën jemi përpjekur. I jep të drejtë edhe të ligut ta shpreh ligësinë, edhe te paditurit ta shpërfaqë paditurinë. Dhe, njëkohësisht, na bën ta njohim më mirë njëri-tjetrin e ta ndihmojmë atë kur është në nevojë, kur gjendet në momente të liga. E në këtë mënyrë i ndihmojmë edhe kombit tonë.

Në fund, duhet ta kuptojmë që viktima e vërtetë e vesit të tyre nuk jemi ne, as e kaluara jonë. Martiri i parë i këtij vesi janë vetë ata. Prandaj, e kemi obligim kombëtar që të ndjejmë keqardhje e mëshirë për ta! Të lutemi për ta!
Zoti i ndihmoftë!

Autori është Kryesues i Kuvendit të Komunës së Prishtinës

Lini një Përgjigje