Lëvizja Vetëvendosje nuk do tërhiqet përballë LDK-së. A po shkon vendi drejt zgjedhjeve të reja?!

Edhe pse për sot ishte pritur formalizimi i marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar Albin Kurti, megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi.Ishte posti i presidentit, ai i cili i “ndau” këto dy parti.

Derisa LDK konsideron që asaj i takojnë posti i presidentit, kryeparlamentarit dhe gjysma e ministrive, në anën tjetër, Vetëvendosje kosnideron se si partia e parë e dalë nga zgjedhjet asaj i takojnë 6 ministri dhe posti i kryeministrit, shkruan Gazeta Blic.

“Betonizimi” në qëndrime se kujt i takon në shumë pushtet, rrezikon që ta çoj vendin në zgjedhje.

Një zyrtar i lartë brenda Vetëvendosjes në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic se ata nuk do tërhiqen nga kërkesat e saja.

“Ne si VV nuk do të pajtohemi që LDK si partia e dytë të ketë më shumë pushtet se sa partia e parë. Nëse ata e marrin kryetarin e Kuvendit dhe presidentin, atëherë të paktën ne si VV na takon një ministri më shumë. Pra, ne 6 ministri e LDK, 4 të tjera”, tha ky zyrtar për Gazeta Blic.

Ky zyrtar ka theksuar se VV nuk do të tërhiqet as me kushtin nëse vendi shkon në zgjedhje.

“Edhe nëse shkojmë në zgjedhje, nuk do të pranojmë kushtet e LDK-së”, tha ky zyrtar.

Në anën tjetër, Gazeta Blic ka zbuluar detaje nga negociatat për bashkëqeverisje LDK-VV.

Sipas këtyre burimeve, të afërta me takimet e sotme Mustafa – Kurti, ka mësuar se LVV dhe LDK fillimisht i kanë ndarë nga 5 ministri.

Ky burim ka treguar se kur Kurti i dhënë ‘përparësi’ Mustafës që të zgjedh cilën ministri e do LDk, ky e ka zgjedhur pikërisht Ministrinë e Brendshme, të cilën tash e sa kohë po e kërkonte VV.

“Nuk dihet saktësisht se si i kanë ndarë këto ministri, por Kurti i ka bërë koncesion Isa Mustafës që ai të zgjedh i pari, dhe për ‘çudi’, Isa Mustafa e ka zgjedhur Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha ky burim.

Ky burim saktëson se mospajtimet kanë ardhur për temat jashtë ndarjes së ministrive, pra për postin e kryeparlamentarit dhe për atë të presidentit.

“Sipas Kushtetutës posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë, por Mustafa e kërkoi atë për LDK-në pa kompensim për VV. Poashtu, Mustafa i ka thënë Kurtit që pa marrëveshje për presidentin nuk ka marrëveshja as për Qeverinë, duke e kërkuar këtë post, pa asnjë kompensim”, thone këto burime, duke sqaruar se kjo ka qenë arsyeja pse s’kishte dakordim në takimin e sotëm.

Pra, lideri i VV-së, ka kërkuar që për postin e presidentit të ketë kompensim me ministri për partinë e tij.

Në kompensim të postit të presidentit, Kurti ka kërkuar që VV t’i ketë 6 ministri, gjë që u refuzua nga LDK.

Pas takimit, të dy liderët kanë folur për media.Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit që ka zhvilluar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për arritjen e koalicionit të bashkëqeverisjes, ka thënë dallimet midis këtyre dy subjekteve politike do të zbulohen pasi të përafrohen ato.

Sipas tij, pa bisedime të tilla është e vështirë të arrihet një bashkëpunim i qëndrueshëm katërvjeçar.

“E patëm një bisedë mjaft përmbajtjesore sepse pa biseda të tilla është e vështirë që të arrihet një bashkëpunim i qëndrueshëm katërvjeçar”.

“Natyrisht se e kemi pasur pajtueshmërinë sa i përket programit qeverisës dhe çështjeve të cilat janë harmonizuar ndërmjet grupeve tona punuese”.

“Dallimet tona do t’i tregojmë kur t’i përafrojmë ato, derisa ne po bisedojmë, ato mbesin çështje tona të cilat ne duhet t’i përafrojmë”.

Ndërsa, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, ka thënë se ka një avancim për arritjen e koalicionit, por jo marrëveshje.

Me të dalë nga takimi, Kurti ka theksuar se nuk është arritur marrëveshja për shkak se ka gjëra për të cilat ende nuk janë marrë vesh.

“Atëherë kur të arrijmë marrëveshje do të flasim gjerë e gjatë. Ka avancim, por nuk ka marrëveshje ende por shkak se ka gjëra që nuk jemi marrë vesh”.

“Atëherë kur do ta kemi marrëveshjen e plotë, do të mund ta shpalosim atë gjerë e gjatë”.

Lexo edhe:

Kurti e Mustafa konfirmojnë mospajtimet, s’ka marrëveshje