Limaj po kërkon që të gjej zgjidhje për demarkacionin në Mal të Zi

Fatmir Limaj duket se ka marrë një rol të rëndësishëm në përpjekjen për zhbllokimin e situatës së krijuar me Marrëveshjen për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi. Gazeta Express ka siguruar një foto nga vizita e djeshme e zëvendëskryeministrit në Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi.

Duket se tema e demarkacionit do të përmbyllet shumë shpejt. Kosova do ta ratifikojë Marrëveshjen në Kuvend, kurse Mali i Zi do të pajtohet të shqyrtohen hollësisht vërejtjet e Kosovës për gabime eventuale në këtë proces, shkruan Express.

Gjatë ditës së djeshme është raportuar në media për një vizitë të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj në Malin e Zi, por konfirmime zyrtare nga kabineti qeveritar në Prishtinë e në Podgoricë nuk ka pasur.

Burime të Gazetës Express konfirmojnë një takim të afërt të Limajt me ministrin e Punëve të Jashtëm të Malit të Zi, Serdan Darmanoviq, dje në zyrën e këtij të fundit në Podgoricë.

Mësohet se dy zyrtarët kanë folur për opsionet sesi të zhbllokohet kjo situatë, e cila ka pamundësuar lëvizjen e lirë të kosovarëve në Zonën Shengen.

“Limaj dhe Darmanoviq kanë diskutuar disa opsione për daljen nga ky ngërç. Zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët”, ka mësuar Express nga burime brenda takimit.

“Dhe zgjidhja e kësaj çështjeje, lirisht mund të thuhet se është çështje ditësh”.

Gazeta mëson se zgjidhja mund të jetë që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen me Malin e Zi, përderisa autoritetet e Podgoricës do të zotohen se janë të hapur për të diskutuar për gabimet eventuale në këtë proces.

Fatmir Limaj këto ditë ka qenë zyrtari i vetëm që ka lënë shpresë së çështja e demarkacionit do të mbyllet.

Gazeta Express ka siguruar një foto ekskluzive, të realizuar dje pas takimit të zëvendëskryeministrit Limaj me ministrin e Jashtëm të Malit të Zi.