Lirohet nga paraburgimi Azem Syla

Ish komandanti i UÇK-së, Azem Syla është liruar nga paraburgimi. Lajmin për lirimin e tij e ka konfirmuar avokati i tij Besnik Berisha. Ai ka shkruar se gjykata ka refuzuar kërkesën për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij.

Gjykimi ndaj z.Syla është transferuar te gjykatësit vendor para disa javësh. Gjykimi ndaj tij për akuzat në rastin toka do të udhëhiqet nga gjykatësi Beqir Kalludra.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave. Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave. Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.