Lista Serbe e refuzon propozimin e KFOR’it që të qëndrojë në fuqi masa e reciprocitetit të targave

0
162

Subjekti politik përfaqësues i pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës, Lista Serbe, nëpërmjet një deklarate të lëshuar ka thënë se iu është refuzuar propozimi komandantit të KFOR’it, Franco Federici. Ky i fundit iu propozoi që të zëvendësohet Njësiti Special i Kosovës me trupat e misionit paqeruajtës në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe të qëndrojë vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit të targave.

“Në konsultim me qytetarët tanë, ne njëzëri e hodhëm poshtë këtë propozim. Populli ynë dhe ne, përfaqësuesit e tij, nuk jemi gati të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të hequr të drejtën e lirisë së lëvizjes, e cila është vlera e Evropës moderne. Ajo duhej të zbatohej edhe për serbët në këtë zone”, tha Lista Serbe në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve ‘Beta’, transmeton Gazeta Express.

Partia e serbëve në Kuvend e ka quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit të targave, duke kërkuar nga Qeveria Kurti që të zbrapset nga ky vendim.

Ndërkaq, përgjatë ditës së djeshme Komandanti i KFOR’it ka njoftuar se ka biseduar me serbët në veri për ndërprerje të protestave.

“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës. Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të siguirtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, është cituar të ketë thënë Frederici.

KFOR-i gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në veri të Kosovës.