Ljajiç flet me shifra, tregon sa miliona i ka humbur Serbia nga taksa e Kosovës

Ekonomia serbe për dy muaj ka pësuar dëme mbi 66 milionë euro për shkak të taksës së vendosur në prodhimet serbe nga Prishtina, ka thënë ministri i Tregtisë, Telekomunikacionit dhe Turizmit Rasim Ljajiç për “Tv Prva”.
Ai ka theksuar se nuk ka ide si do të zgjidhet kjo “me heqjen e taksës apo rënien e qeverisë”.
Sipas tij, për dy muaj të masave të “pamenduara” dhe sanksioneve, janë shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë serbe, afaristëve në Kosovë dhe konsumatorëve.
“Masat ekonomike kanë shkaktuar edhe krizën politike. Tash nuk dihet kush është pushtet e kush opozitë në Kosovë. LDK e Isa Mustafës angazhohet për heqje të taksës, nga ana tjetër Vetëvendosja e Albin Kurtit shprehet se taksat duhet të mbeten, por Haradinaj duhet të bie. Nuk jam i sigurt si do përfundoj kjo krizë – me rënien e taksës apo qeverisë”, ka thënë Ljajiç.
Ai ka përkujtuar se pas vendosjes së taksës vendet e regjionit kanë përfituar në rritjen e eksportit në Kosovë, kështu Maqedonia ka rrituar eksportin 40 për qind, Kroacia 30, Bullgaria 50, Sllovenia 123 dhe Greqia 114 për qind.
Me këto masa është dëmtuar edhe procesi i dialogut, pasi është krijuar atmosferë e keqe dhe për kompromis duhet ambient pozitiv për te.
“Nëse shtrëngoni litarin, ai do këputet. Andaj nuk jam optimist edhe nëse hiqen taksat nuk jam i sigurt si do të shkojnë bisedimet kur është helmuar në këtë masë atmosfera! Përfundoi Ljajiç.