Londër, 50 vite burg për 7 shqiptarë, u kapën me 32 kg kokainë

0
205

Shtatë anëtarë të një karteli shqiptar të drogës, të cilët planifikonin të mbushnin rrugët e Mbretërisë së Bashkuar me më shumë se 3 milion paund kokainë, janë burgosur për një total prej 50 vitesh, shkruajnë mediat angleze.

Pjesëtarët e bandës shqiptare janë të moshës nga 20 deri në 30 vjeç. Ata janë dënuar nga drejtësia pasi pranuan fajësinë për konspiracion për të furnizuar kokainë të klasit A.

Ata u dënuan me më shumë se 50 vite burg, pasi dedektivët i kapën në total 32 kg kokainë. Grupi i furnizuesve shqiptarë të kokainës, ishin prej kohësh nën survejim nga Komanda e Krimit të Organizuar të Policisë Metropolitane.

Dënimet:

Ergert Ibrihimi, 27 (13.11.90), i cili nuk kishte vendbanim fiks u akuzua për furnizimin e drogës së klasit A. Ai u dënua me katër vjet burgim.

Gentian Rina, 21 (5.04.96), banues në Outram Road, Oxford u akuzua për furnizimin me droga të kategorisë A. Ai u dënua me tetë vjet burgim.

Vilson Elezi, 29 (2.06.88), banues në Outram Road, Oksford u akuzua për furnizimin me droga të kategorisë A dhe posedim të pasurisë kriminale. Ai u dënua me tetë vjet burgim.

Damiano Kola, 21 (28.10.96), nga Outram Road, Oksford u akuzua për furnizimin me drogën e klasës A dhe dy akuza për posedim të një dokumenti të rremë identiteti. Ai u dënua me tetë vjet e katër muaj burgim.

Klodian Rina, 20 (4.03.97), nga Rymers Lane, Oksford u akuzua për furnizimin me droga të kategorisë A. Ai u dënua me tetë vjet burgim.

Lulzim Ramadani, 31 (18.06.86), nga Herschel Crescent, Oksford u akuzua për furnizimin me droga të kategorisë A dhe dy akuza për posedim të një dokumenti të rremë identiteti. Ai u dënua me pesë vjet e 8 muaj burgim.

Edison Zebi, 21 (12.07.96), pa vendbanim të përhershëm u akuzua për furnizimin me drogë të klasit A dhe posedimin e një dokumenti të rremë identiteti. Ai u dënua me tetë vjet e katër muaj burgim.

Zyrtarët dëshmuan një takim midis Zebit dhe Ibrihimit në Lytton Road, Oksford më 5 nëntor 2017. Zebi ishte parë duke i dorëzuar Ibrihimit një qese të zezë, e cila më vonë u gjet dhe mbante 12 blloqe të kokainës.

Zebi dhe Ibrihimi u arrestuan dhe, pas një kërkimi për një pronë aty pranë, ku shihej se Zebi kishte ardhur, u gjetën pesë të tjerët – Ramadani, Rina, Rina, Elezi dhe Kola – por dhe 21 kilogramë kokainë. Prona u përdor nga banda për të ruajtur, përgatitur dhe paketuar drogën.

Inspektori Detektiv Mark Folan, nga Komanda e Krimit të Organizuar, tha: “Ky grup kishte ngritur një sistem me aftësinë për të shpërndarë sasi të mëdha të kokainës në Londër. Nëpërmjet këtij hetimi të udhëhequr nga inteligjenca ne kemi ndaluar drogën në burim, duke dëmtuar aftësinë e bandës për të shpërndarë atë tek tregtarët e nivelit të rrugës dhe bandat në Londër. Jam jashtëzakonisht krenar për ekipin që ka qenë në gjendje të arrestojë një numër të konsiderueshëm njerëzish të përfshirë”./gazetashqip/