Lufta me COVID-19/ Kuvendi përgjysmon pagën e deputetëve për 3 muaj

Të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë u përgjysmohet rroga për 3 muaj si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia me COVID-19 në Shqipëri. Vendimi u mor ketë të enjte në Byronë e Kuvendit, në mbledhjen e drejtuar nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi në një video konferencë.

“Byroja vendosi që, në kuadrin e masave për të lehtësuar përballimin e situatës së pandemisë, krijuar nga koronavirusi COVID-19, në shenjë solidariteti me qytetarët dhe bizneset e prekur nga masat ndaluese të koronavirusit, paga e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë  të përgjysmohet për një periudhë tremujore”, thuhet në njoftimin zyrtar nga zyra e shtypit të Kuvendit.

Por po ashtu, kryeparlamentari Ruçi u është drejtuar me një letër drejtuesve të tridhjetë të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj, të marrin të njëjtën nismë, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, si kontribut në lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi të rrezikshëm.

Ditën e djeshme deputetët e Partisë Socialiste zgjodhën të hiqnin dorë vullnetarisht nga gjysma e pagës duke e vënë atë në dispozicion të buxhetit të shtetit për nevojat nga situata që ka krijuar COVID-19 edhe në Shqipëri.  Ndërkohë, dy ditë më parë, qeveria vendosi të përgjysmojë për 3 muaj pagat e kryeministrit, zv.kryeministrit dhe kabinetit të ministrave për shkak të gjendjes së krijuar nga koronavirusi.

Më herët edhe Presidenti Ilir Meta deklaroi vetë se paga e tij, por edhe e zyrtarëve të Presidencës që janë solidarizuar më emergjencën do të shkurtohet sipas planit të bërë publik nga qeveria.

Shqiptarja.com