Luma: Qeveria mund të rrëzohet, por Haradinaj s’e heq taksën – e vendosi për interes të vendit

0
552
Analisti politik Ernest Luma ka komentuar konfliktin rreth taksës 100% që pasoi mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryekuvendarit Kadri Veseli.
Luma ka deklaruar në Info Magazine se vendimi i taksës 100% ndaj produkteve serbe është duke u shfrytëzuar nga partitë politike për zgjedhje të reja, njofton Klan Kosova.
”Ne jemi në orët e para të disa dallimeve të mëdha dhe një atmosfere të re politike. Nuk kishte ndonjë dallim në esencë mes Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit për taksën”.
”Jemi në një moment krejt tjetër, taksa më shumë është duke u konsumuar për benefite politike për të ardhur në një situatë më të favorshme për kalkulimet që i bëjnë ata qoftë për zgjedhje të reja apo ndonjë qeveri të re teknike eventuale”.
”Por, nuk është komode në këtë situatë të shkojmë në një Qeveri Teknike”.
”Taksa në fuqi dhe bashkëqeverisja është vështirë e parashikueshme deri në fund të mandatit. Në këtë situatë, kryeministri Haradinaj ka kalkuluar mirë për interesat e veta deri në zgjedhje të ardhshme prandaj dhe një mostërheqje e taksës do të ishte në favor të tij”.
Veç kësaj, analisti Luma tha se mospërfillja e kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do të thotë se liderët politikë kosovarë janë antiamerikanë, njofton Klan Kosova.
”Politikanët e Kosovës nuk përfaqësojnë apo nuk janë akterë të politikës së jashtme të SHBA-ve. Nuk e dizajnojnë as nuk e bëjnë atë politikë, por as nuk e rrezikojnë”.
”Vendosja e taksës nuk e ka rrezikuar politikën e jashtme të Amerikës. Këtë po e stërzmadhon debati i brendshëm në Kosovë që po synohet të arrihet për interesa politike”.
”Mostërheqja e taksës s’ka të bëjë me antiamerikanizëm dhe asnjë nga liderët politikë s’do të shkonte deri në atë pikë e aq më pak Ramush Haradinaj”.
”Ideja e kryeparlamentarit Kadri Veseli ishte shumë e mirë. Por, një tërheqje e këtij momentumi që ka ndërtuar politika e Kosovës me tërheqjen e taksës nuk do të duhej të ndodhte”.
”Kryeministri Haradinaj është i vendosur dhe i sinqertë. Edhe partnerët e tjerë të koalicionit i kanë këto tipare, por Ramush Haradinaj i ka vënë më shumë në pah”.
”Pas dështimeve që pësoi Kosova, vendimi për taksën ishte hapi më i butë që mund ta bënte një Qeveri si Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë”.
Analisti politik, Ernest Luma ka thënë se ideja e vënies së taksës ndaj produkteve serbe ka qenë e Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Duke qenë kështu, Luma thekson se nuk pret që haradinaj do të jetë politikani që do ta japë vulën për heqjen e kësaj tarife, njofton Klan Kosova.
“Duke parë situatën si po shkon, mund të kemi rënie të Qeverisë, por nuk pres që Haradinaj të jetë personi që ka për të marrë vendim tjetër, heqjen e taksës”, ka thënë Luma në Info Magazine.
“Nuk e ka bërë për interesa të veta, por për interes të vendit dhe vendimet e tilla i japin kahje zhvillimeve. Ky është vendim që është marrë rrallë ose hiç në Kosovën e pasluftës”.