Lumezi: Elez Blakaj deshi të bëjë famë pa e kryer punën e tij

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka kritikuar ish-vartësin e tij, prokurorin Elez Blakaj, i cili ka shkuar në Shtetet e Bashkuara pas kërcënimeve që, siç ka thënë, i ka marrë gjatë hetimit të listave të veteranëve.Sipas Lumezit, prokurori Blakaj ka dashur të bëjë famë pa e kryer punën e tij.Kryeprokurori i Shtetit e pranoi se e kishte thirrur Elez Blakajn për ta pyetur për arsyet pse e kishte intervistuar ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

“Edhe kjo mund të them me plot fjalën se është keqpërdorë nga prokurori, i cili ka dashtë me bo famë për vete pa e luftu krimin. Krimi nuk luftohet nëpërmjet deklaratave publike por luftohet nëpërmjet veprimeve konkrete”, theksoi Aleksandër Lumezi.

Në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Kryeprokurori i Shtetit tha se e ka thirrur në bisedë ish-prokurorin Blakaj pasi që ai nuk e kishte informuar për intervistimin e kryetarit të Kuvendit. Sipas Lumezit, secili prokuror është i obliguar me ligj ta njoftojë Kryeprokurorin e Shtetit kur të intervistohen zyrtarë të lartë të institucioneve të shtetit.“Ka ligj të detyrueshëm se nëse hetohet presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, deputetët, ministrat, drejtorët e ndërmarrjeve publike, kryetarët e komunave, duhet të njoftohet Kryeprokurori i Shtetit. Edhe unë e kam thirrë pasi që e ka marrë në pyetje Kadri Veselin, për t’u informuar në çfarë cilësie e ka thirrë”, shtoi Aleksandër Lumezi.Ai shtoi se këtë ia lejon neni 13 i Ligjit mbi Prokurorin e Shtetit, i cili parasheh se në çdo moment Kryeprokurori i Shtetit mund të thërrasë prokurorin dhe të kërkojë nga i njëjti raport për gjendjen, zhvillimin dhe shqyrtimin e një rasti.

Po ashtu edhe neni 156 i Kodit të Procedurës Penale parasheh, sipas tij, që prokurori çdo 3 muaj duhet të konsultohet me kryeprokurorin e zyrës së vet për rastet me qëllim që të konstatojnë a të vazhdojnë hetimet a të pezullohen apo të pushohen hetimet.Lumezi në këtë diskutim tregoi se iniciativa për ndjekje penale të rastit të veteranëve të luftës ka ardhur pasi që Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e kanë kritikuar Qeverinë për shkak të harxhimeve të buxhetit për pagim të veteranëve të rrejshëm.

Në këtë tryezë mori pjesë edhe ambasadori i Ambasadës Britanike, në Prishtinë, Nicholas Abbott, i cili tha se qytetarët e Kosovës, në këtë kohë fushate kanë nevojë të dëgjojnë për masat konkrete për luftimin e korrupsionit e jo vetëm deklarata.“Nuk është e mjaftueshme që të kemi vetëm deklarata për luftimin e korrupsionit. Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë që të dëgjojnë cilat janë masat konkrete që partitë politike do i ndërmarrin në këtë drejtim”, tha ai.